Në Tiranë, policia arrestoi sot një grup veprimtarësh të shoqërisë civile në sheshin Skënderbej, teksa po mblidheshin në një tubim përkujtimor për Ditën e Europës, por rregullat e pandemisë nuk lejojnë tubimet.

Policia ndërhyri sapo disa nga organizatorët nisën të shpërdanin disa postera kushtuar 9 Majit, Ditën e fitores së koalicionit perëndimor ndaj fashizmit në fund të Luftës së Dutë Botërore.

Parrulla të tjera ishin edhe “Hapni Shqipërinë”, dhe “Jo Diktaturës”.

Duke u përpjekur të respektonin rregullat e distancimit social në këtë kohë epidemie, veprimtarët u mblodhën sot më 9 Maj, Ditën e Europës, me besimin se mund të bënin një tubim përkujtimor të ngjashëm, me ato që u bënë më 5 maj, Ditën e Dëshmorëve.

Të dyja datat e përafërta dhe me mesazhe të përfaërtai referohen Luftës së Dytë Botërore dhe rezistencës ndaj nazifashizmit.

Në sheshin Skënderbej u mblodhën dhjetëra burra e gra për të marrë pjesë në këtë përkujtimore, por policia ndërhyri shpejt dhe me një numër të madh forcash, duke arrestuar të paktën 14 veprimtarë dhe duke shpërndarë të tjerët.

Sipas rregullave në kohë epidemie janë të ndaluara tubimet dhe distancimi social është kërkesa fillestare e ekspertëve të mjekësisë.

Pak metra më tej nga sheshi Skënderbej, artistët po vazhdojnë të mbrojnë ndërtesën historike të Teatrit Kombëtar nga planet për ta shembur atë dhe për të ndërtuar po aty një teatër të ri.

Qeveria e kaloi dje truallin e Teatrit Kombëtar nga pronësi e ministrisë së Kulturës në pronësi e bashkisë së Tiranës.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, që po kujdeset 24 orë prej 9 muajsh për ndërtesën historike, deklaroi se këto manovra të përsëritura bëhen për të grabitur një truall ndërtimi në mes të kryeqytetit.

Organizata Europa Nostra sapo e ka futur Teatrin Kombëtar të Shqipërisë midis 7 monumenteve historike më shumë të rrezikuara në Europë dhe ka shprehur gadishmërinë, së bashku me qendra të tjera europiane, të mbështesin dhe financojnë restaurimin e kompleksit teatror.

Por qeveria edhe bashkia janë po aq të vendosura për të ndërtuar një teatër të ri mbi truallin e atij ekzistues.

Presidenti Meta publikoi sot një deklaratë të gjatë me detaje, duke theksuar se kompleksi i Teatrit Kombëtar mishëron vlerat e identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare, vlera këto që gëzojnë mbrojtje të veçantë dhe të drejtëpërdrejtë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Ndaj Presidenti Meta theksoi se për këtë çështje Këshilli i Ministrave dhe Bashkia e Tiranës, duhet të mos ndërmarrin asnjë veprim të mëtejshëm që cenon Teatrin Kombëtar.

“Ky vendim i Këshillit të Ministrave dhe vullneti i shprehur i Bashkisë Tiranë nuk është në përputhje me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, si dhe nuk përkon me vlerat e Bashkimit Europian, institucionet kulturore të të cilit kanë shprehur vullnetin për mbrojtjen e këtij objekti dhe restaurimin e tij” – deklaroi ai.

Presidenti Meta kujtoi se në muajin korrik 2019 ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë, e cila do të duhet ta shqyrtojë në themel këtë çështje.

“Në këtë proces gjyqësor që duhet të shqyrtohet, është palë si Këshilli i Ministrave, Bashkia Tiranë dhe Ministria e Kulturës, ndaj marrja e një vendimi të tillë në këtë kohë rëndon pozitën antikushtetuese të veprimtarisë shtetërore ndaj këtij objekti me rëndësi kombëtare” – deklaroi ai.

Presidenti Meta u kujton të gjithë organeve shtetërore, përfshi këtu dhe Këshillin e Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, se njëra prej çështjeve kryesore që pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese nuk ka të bëjë vetëm me faktin nëse ligji special nr. 37/2018 është antikushtetues, por më kryesorja lidhet me detyrimin ligjor që çdo veprim apo vendim shtetëror, që synon apo ndërmerret për prishjen e Teatrit Kombëtar, cenon drejtpëdrejt parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kombëtare mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë vendosur të ngrenë dhe zhvillojnë shtetin e tyre, parime këto të parashikuara nga nenet neni 3, të Kushtetutës.

“Një tjetër çështje që do shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuse ka të bëjë me edhe faktin se veprimtaria administrative shtetërore e pushtetit qendror apo lokal, që synon apo ndërmerr veprime për prishjen e Teatrit Kombëtar, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për zbatim, të mishëruar edhe në Konventën Europiane të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit” – tha zoti Meta.

Presidenti i Republikës u bëri thirrje autoriteteve shtetërore, se çdo veprim apo vendim për të cenuar godinat e Teatrit Kombëtar është jashtë çdo logjike të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri dhe do të dhunonte në mënyrë kriminale rendin kushtetues, në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik dhe kombëtar.

/VOA