Një djalë i mitur që banon në Wuhan të Kinës i ka shkruar një letër drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për këtë vend, duke i treguar momentet emocionuese teksa ka dalë këto ditë për herë të parë jashtë shtëpisë.

I vogli tregon sesi kanë kursyer bashkë me shokët e shoqet disa të holla që kërkon t’ia dhurojë OBSh-së. Letrën e publikoi rrjeti shtetëror informativ CRI dhe qartësisht duket të jetë promovim në kuadrin e një propagande ofensive që Kina ka nisur për të mbrojtur veten e saj pas akuzave se nuk e bllokoi virusin në Wuhan duke lejuar të përhapet në të gjithë botën.

Letra e plotë:

Xhaxhi Gauden Galea (drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kinë),

Përshëndetje! Jam një nxënës i shkollës së mesme “Xuguang” të Wuhan-it të Kinës.

Tani është mbrëmje në Wuhan. Nëpërmjet dritares po shikoj dritat e mijëra shtëpive të Wuhan-it, i cili po ringjallet ngadalë. Para disa ditëve, nëna më shoqëroi për të ngarë biçikletën në “Rrugën e Gjelbër të Liqenit të Lindjes”.

Kjo është hera e parë që dola jashtë shtëpisë për të shikuar panoramën e bukur me re të bardha dhe pemë të gjelbra qysh nga shpërthimi i epidemisë së virusit të COVID-19 në Wuhan.

Ndjeva se kjo vizitë e zakonshme është shumë e çmuar për ne. Bota është shumë e madhe, por asnjë s’mund të jetojë në një ishull të izoluar dhe virusi është armiku i përbashkët i njerëzimit. Unë së bashku me shoqet e shokët e klasës kemi një dëshirë e përbashkët, që të japim kontribut për këtë botë.

Xhaxhi Gauden Galea, në kohën e zakonshme, unë së bashku me shoqet e shokët e klasës kemi bërë grumbullimin e mbeturinave dhe kemi shitur artikujt e riciklueshëm, si shishe etj., duke fituar para për t’i shpenzuar për aktivitetet kolektive të klasës.

Ne dëshirojmë që t’ia dhurojmë këto para OBSh-së nëpërmjet jush dhe premtojmë se do të bëjmë dhurime çdo vit me këtë mënyrë. Shpresojmë se nëpërmjet jush e OBSh-së, mund t’u bëjmë thirrje të rinjve të botës që të bashkohen për të ndihmuar sa më shumë njerëz brenda mundësive tona. Ne përfaqësojmë të ardhmen e botës dhe duhet të mbrojmë të ardhmen e botës.

Ju uroj shëndet!”