Ministria e Shëndetësisë ka publikuar rezultatet e testeve serologjike, të cilat kanë nisur që të aplikohen që prej të hënës së kaluar.

Në njoftimin e saj, Ministria ka bërë me dije se janë testuar 440 persona, përfshirë staf mjekësor dhe pacientë të konfirmuar, nga të cilat 11.2% kanë rezultuar analiza pozitive.

Gjithashtu është bërë me dije se në fazën të dytë, testimi do të zgjerohet edhe në popullatë për të parë përqindjen e personave që e kanë kaluar sëmundjen pa simptoma.

Ashtu siç jeni në dijeni, në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT, po vazhdon procesi i testimeve serologjike për grupet më të riskuara, ku përfshihet dhe validimi i tyre në lidhje me specificitetin dhe sensitivitetin ndaj COVID-19. Deri tani janë testuar 440 staf mjekësor dhe pacientë të konfirmuar, me një nivel 11.2 % të pozitivitetit të përgjithshëm. Këto janë rezultate paraprake dhe në ditët në vazhdim pritet të merret një kampion më i madh, kështu që këto rezultate mund të ndryshojnë. Në një fazë të dytë do të zgjerojmë testimin në popullatë për të parë % e saj që e ka kaluar sëmundjen.Gjithashtu janë kryer 18 testime në personel mjekësor dhe pacientë tek shërbimi i Neurokirurgjisë në QSUT dhe të gjithë të testuarit kanë rezultuar negativë për COVID-19,”-thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije ditën e sotme se numri i të infektuarve ka shkuar në 850. Eugena Tomini, nga ISHP ka bërë sot përditësimin e të dhënave ku tha se tashmë niveli i përhapjes së virusit ka rënë, dhe se 5% e personave që testohen dalin pozitivë. Situata është optimiste edhe në spitale, ku numri i të shtruarve ka zbritur në 30. Ndërkohë në vend janë shënuar vetëm 31 viktima.