Punonjësit mbi 55 vjeç në radhët e Policia së Shtetit, gardës së republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të lirojë vendet e tyre të punës. Kjo do të ndodhë sapo të kalojë në Kuvend dhe të miratohet ligji i paraqitur nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i miratuar nga Komisioni i Sigurisë. Bëhet fjalë për ligjin për trajtimin financiar të këtyre punonjësve që preken nga dy kushtet e lirimit, atë të moshës 55 vjeç dhe shërbimit në radhët e policisë për 30 vjet, ka argumentuar ministri Lleshaj.

“Nga radhët policisë të largohen ose me kërkesën e vetë punonjësit të policisë ose me vendim të autoriteteve drejtuese të saj punonjësit e policisë që kanë mbushur moshën 55 vjec, ose që kanë plotësuar 30 vite shërbim në radhët e policisë. Sot ne kemi në nivelin bazë të policisë oficerë që janë mbi 50 vjec, në gradat e ulëta, në gradat, nënkomisar, grada inspektorëve, që janë 60 vjec. Synimi është që të preket kjo fashë e gradave, njerëz që janë në terren, njerëz që duhet se s’bën të lëvizin. Pas largimit nga radhët e policisë, këta punonjës të shtetit parashikohet të trajtohen financiarisht me 50% të pagës neto” tha Lleshaj.

Përmbushja e njërit prej këtyre kushteve e mundëson largimin, por nuk e detyron atë. Me qëllim që këta punonjës policie të mund të vijojnë jetën normale të tyre. Është parashikuar që të kenë një trajtim financiar i cili shkon në vlerën e 50% të pagës mujore neto. Sipas ministrit Lleshaj, i gjithë ky ristrukturim në radhët e efektivëve për të rigjeneruar forca dhe energji të reja në terren, është një instrument që policia në rast nevoje ti thërrasë në detyrë këtë kontigjent.

“Ky është një instrument menaxhimi që i jepet në dorë Policisë së Shtetit për të menaxhuar strukturën e personelit të saj. Pra në rast nevoje mund të nxjerrë, personat që kanë mbushur moshën e 55 vjec, por në rast nevoje mund ti mbajë ata. Nuk është automatike kjo dalje. Parashikohet që të jenë në detyrat kryesisht të karakterit të marrëdhënieve të policisë me komunitetin, hapësirë kjo që këta persona të mos trajtohen si pensionistë”