Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, lidhur me fashën orare të lëvizjes, tha se po diskutohet me ekspertët mundësia e zgjerimit të tij e po ashtu edhe aktivitetit.

Ndërsa për transportit urban, Manastirliu u shpreh se është me risk shumë të lartë, por po hartohen protokolle me ekspertë për të pasur një vlerësim se kur mund të kemi hapje të tij.

“Fasha orare është propozuar nga ekspertët për të minimizuar kontaktet, por po diskutohet që të zgjerohet. Pasi të kemi vlerësimin dy javor, atëherë do të kemi mundësinë edhe për të zgjeruar fashën orare të lëvizjes së qytetarëve dhe aktivitete të tjera.

Është shqetësim edhe për ne, pasi transporti urban është me risk më të lartë. Po hartojmë protokolle me ekspertë dhe shumë shpejt do të kemi një vlerësim dhe për hapjen e transportit urban në vend.

Më 18 maj do të hapen bare dhe restorante vetëm në hapësirat e jashtme. Patjetër që do të ketë një rivlerësim edhe për fashën orare, por kjo do të bëhet sipas zonave të kuqe e të gjelbra. Pas vlerësimit, do të shohim si do të zhvillohet ky aktivitet’, tha ministrja në një lidhje me “Skype” në News24.