Kryeministri Edi Rama ka njoftuar gjatë ditës së sotme se plani i masave kufizuese është i qartë për këdo së paku deri më datë 18 maj. Rama shtoi se pas datës 18 maj do të fillojë edhe procesi i hapjes dhe fluksve nga ajri e toka për hyrjen në Shqipëri.

Megjithëse nuk ka dhënë një datë, pasi Rama u shpreh se do të merret edhe mendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve, kryeministri tha se po shikohet një formulë kompromisi sesi do të bëhet hapja e transportit publik, sidomos atë ndërqytetas.

“Plani është i qartë që deri në datën 18 maj ne do jemi 90 per qind e kusur të hapur, e vetmja gjë që mbetet shqetësim është transporti publik me autobus apo fugona, sidomos ndërqytetas, po shohim të gjejmë një formulë kompromisi për këtë. Në këtë aspekt do jemi tërësisht të ekspozuar prandaj duhet të kemi një intensitet më të madh në komunikim me njerëzit dhe ndjekje të rasteve” tha Rama.

Ai shtoi: “Do të konsultojmë me ju të gjitha masat. Deri në datë 18 janë ato që janë pastaj do të vijë procesi i hapjes dhe flukseve për të hyrë në Shqipëri nga ajri apo toka, aty do të jetë një tjetër sfidë për të respektuar rregullat e karantinimit në shtëpi për ata që do të hyjnë në Shqipëri. Do të ishte mirë që ministria e Shëndetësisë të përgatisë disa materiale sensibiluzuese për qytetarët në kushtet e rihapjes për kujdes dhe respektimin e masave”