Qeveria shqiptare me anë të Platformës së Bashkëqeverisjes u ka dërguar sot një mesazh qytetarë dhe u kërkon që të japin mendimin se si duhet vepruam më tej. Në një e-mail, qytetarëve u kërkohet që t’i përgjigjen një pyetsori dhe premtohet që qeveria do marrë për bazë mendimet e qytetarëve.

“Shqipëria ia ka dalë mbanë me faqe të bardhë deri këtu, në përballjen me një nga fatkeqësitë më të mëdha të kohërave moderne, pandeminë e COVID19. Kjo fazë e luftës kundër pandemisë nuk do mund të fitohej pa masat e forta të marra shpejt dhe pa mbështetjen e madhe të qytetarëve në zbatimin e tyre deri në mbylljen me sukses të Fazës 1.

Vendosmëria jonë e përbashkët, shmangu një tragjedi të ngjashme me Italinë mike dhe fqinje, e me vende të tjera shumë më të fuqishme se Shqipëria. Por lufta vazhdon dhe që ta fitojmë edhe Fazën 2, siç fituam Fazën 1, ne duhet të vazhdojmë të jemi të bashkuar. Marrja e opinionit tuaj sot mbi çfarë kemi bërë së bashku deri këtu, ka një vlerë të çmuar për të formësuar vendimet e vështira që duhen marrë më tej dhe për të ndihmuar sa më mirë njëri-tjetrin” shkruhet në mail.