Analisti politik Mentor Nazarko thotë se duket se LSI po përpiqet që në këtë periudhë të shkojë me më të fortin dhe mundet që në zgjedhjet e ardhshme të bëhet me PS-në.
Ndërsa për presidentin Meta Nazarko mendon se ai po tenton të ketë sa më shumë pushtet gjatë kësaj kohe.
Ai shtoi se partitë e mëdha kanë kaq shumë vjet që dominojnë skenën politike, duke thënë se Shqipëria ka nevojë për një parti të re.
“Loja që po bën presidenti duket sikur po bën politikën e LSI. LSI duket se do të shkojë më të fuqishmit. Unë dyshoj se LSI mund të shkojë me PS, pasi Partia Socialiste është më e fuqishme aktualisht. Zonja Kryemadhi duket më e relaksuar. Unë mendoj se presidenti Meta komunikon me LSI. Ajo që ndodh në fund të fundit është e lidhur me pushtetin.
Presidenti Meta duke qenë në atë post, po kërkon pushtet edhe në maxhorancë. Meta e përdor edhe për imazhin e tij, për pushtet më shumë të presidencës. Madje, PD po frikësohet nga “flirti” mes LSI-së dhe presidencës. Unë mendoj se vendi ka nevojë për një parti të re. Dolën figura të reja në pah si pedagogë, studentë. Nuk e kam fjalën për një pol të tretë, por për forcë të re. Ky sistem me ata që quhen oligarkë ka marrë goditje me pandeminë” tha Nazarko.
I pyetur për faktin se përse Shqipëria ka rënë me një vend në raportin e Freedoom House për lirinë e shprehjes, Nazarko ndau mendimin se kjo është normale, pasi vendi ndodhet në gjendje pandemie.
“Duke qenë se është situata e pandemisë, rënia poshtë në Freedom House është normale dhe e pritshme. Pandemia imponon një kuadër, që kufizon liritë dhe të drejtat e njeriut. Nuk mund të imagjiinosh dot që situata të jetë normale në këtë gjendje sic jemi ne. Por, sigurisht që pozicioni përkeqëson imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare” u shpreh Nazarko.
Më tej, Nazarko vlerësoi se Rama ka rritur disi pushtetin autoritar, aq sa duket sikur thotë “shteti jam unë” ndërsa ka shtuar se opozita sërish ngjan e pabesueshme.
“Duke qenë se opozita doli jashtë politikës, bëri që Rama të ketë joshjen për të pasur cdo pushtet. Opozita tentoi që të deligjitimopjë ndërkombëtarisht qeverisjen, por nuk ia arriti. Opozita jonë nuk ka qenë e besueshme, edhe opozitat e tjera në Ballkan. Opozita nuk arriti dot atë që quhet situatë revolucionare. Duke qenë se nuk e arriti dot rrëzimin, tashmë ka kaluar në statusin e një opozite konstruktive. Opozita po luan mirë tani, por hapësira mediatike është dominuar nga qeverisja, nga pushteti, nga Edi Rama. Rama tashmë duket sikur thotë se shteti jam unë. Populli i frikësuar nga pandemia ka tendencën të dëgjojë një njeri. Mendoj se vendi duhet të ndryshojë këtë sistem zgjedhor” vlerësoi analisti Nazarko.