Edhe pse çdo të enjte i shohim në paradë veshjesh e së fundmi edhe në një paradë maskash, Kuvendi ka gjetur momentin për të hapur plot 4 tendera brenda një periudhe 3 javorë për të blerë mjete mbrojtëse për deputetët. Qytetarët thonë se pas kësaj fshihet korrupsioni.
Për nevojat e luftës në të cilën ndodhet vendi deputetët vendosën të heqin dorë nga gjysma e pagës së tyre dhe e vendosen atë në dispozicion të buxhetit të shtetit.
Por kjo nuk ka bërë që ata të heqin dorë nga përfitimet që marrin prej statusit që kanë, ku futen pagesa e telefonit, pagesa e qerasë së shtëpisë apo pagesa e karburantit të automjeteve që përdorin. E sikur të mos mjaftonte kjo Kuvendi ka menduar të lehtësojë për deputetët edhe kostot e blerjes së maskave e dorezave, që në fakt kushtojnë aq sa për ligjvënësit është mëse e përballueshme me pagën që marrin, edhe pse të përgjysmuar.
Madje edhe punonjësit e policisë, që marrin një pagë modeste, i blejnë vetë mjetet mbrojtëse.
Duke qenë se në seancë plenare lejohen të marrin pjesë të gjithë deputetët, Kuvendi do sigurojë që ata dhe punonjësit e administratës të jenë të pajisur me maska dhe doreza.
Për këtë arsye janë hapur 4 tendera brenda një periudhe 3 javore me një fond limit prej më shumë se 14 milionë lekësh.
Qytetarët akuzojnë se kjo është një padrejtësi dhe pas gjithë kësaj fshihet një korrupsion i madh.
“Duan të kenë sa më shumë përfitime për veten”
“Në periudha krize gjithmonë ka ekzistuar ideja të rrjepim sa më shumë”
“Është e pallogjikshme, polici ta blejë vetë, qytetari ta blejë vetë, kurse ata ta blejnë me paratë tonë”
Tenderi më i fundit është mbyllur ditën e hënë ndërkohë që për të gjithë tenderat e zhvilluar nuk rezulton asnjë nga dokumentet e njoftimit online, vetëm ftesa për ofertë dhe të dhënat kryesore të secilit tender.