Pavarësisht masavetë distancimit social për shkak të pandemisë së COVID-19, në lagjen Selitë – një prej zonave të banuara nga komuniteti rom në periferi të Tiranës, të martën dëgjohej që nga larg muzika tradicionale dhe dallohej tymi i zjarrit të ndezur në prag të ditës së Shën Gjergjit (Ederlezi).
“Shën Gjergji është dita jonë, për ne kjo është njësoj si viti i ri…” i tha BIRN një prej anëtarëve të këtij komuniteti, i ulur rreth në një tavoline druri të mbushur me pije alkoolike dhe me mish qengji. “Por ky është viti i parë që nuk po e festojmë siç duhet,” shtoi ai.
Përveç vështirësive të krijuara nga epidemia e COVID19, 2 javë më parë Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT, i prishi dhe tregun e rrobave të përdorure pranë “Pallatit me shigjeta’ ku një pjesë e madhe e këtij komuniteti siguronte të ardhurat e tij.
“Sigurisht që duam të festojmë si çdo vit, ne mezi e presim këtë ditë të shënuar, por këtë vit nuk po ndihet si vitet e tjera….kemi 3 muaj pa të ardhura, nuk kemi dalë për të shitur gjë” tha një burrë tjetër i shtruar rreth sofrës.
“Tani që u liruan masat na bllokuan edhe tregun e lirë të rrobave…është viti i parë që nuk po festojmë siç duhet 6 majin” shtoi ai.
6 Maji shënon ditën e Shën Gjergjit, ose siç quhet ndryshe nga komuniteti Rom – Dita e Ederlezit. Kjo ditë për këtë komunitet simbolizon edhe kremtimin e ardhjes së pranverës, një praktikë pagane, dhe lënien mbrapa të shumë gjërave të tjera jo të mira. Rituali i kësaj dite përfshin përgatitjen e mishit të qengjit, vënien e degëve të pemëve në pragjet e dyerve të shtëpive dhe larjen në lumë në orët e para të mëngjesit.
“Ne jetojmë të sotmen, e sot po festojmë ditën tonë të shumëpritur, ardhjen e pranverës, ditën e Ederlezit”, tha një nga banorët e komunitetit Rom në Selitë, ndërsa dëfrejnë me muziken e tyre tradicionale. “Këtu midis nesh nuk e kemi koronavirusin “
Sipas censusit të publikuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në vitin 2014, minoriteti rom në Shqipëri llogaritet të ketë një popullsi prej 18,276 banorësh.
Ky minoritet bën pjesë në shtresën më të varfër të popullsisë dhe gjatë 2 muajve tw fundit po pwrballet gjithashtu me pasojat e masave parandaluese të COVID-19.
Megjithatë, ky komunitet njihet për frymën pozitive dhe ruajtjen e traditave; pavarësisht vështirësive edhe këtë vit ata nuk e kanë lënë pa kremtuar një datë kaq domethënëse sa Ederlezi.
“Për shkak të problemeve të mëdha ekonomike dhe familjare, këtë vit komuniteti nuk do të mund ta festojë siç duhet këtë festë kaq të rëndësishme e domethënëse për to,” u shpreh aktivistja, Romina Sefa, njëkohësisht edhe përfaqësuese e Qendrës për Advokim Social.
Kjo ditë e cila konsiderohet si festë pagane e sakrifikimit, përveç therjes së qengjit, shoqërohet me grupe të komunitetit Rom që festojnë me këngë e valle, duke ndezur zjarre e duke kaluar lumin në agim si shenjë e lënies pas të të këqijave.
“Si traditë, ne e gdhimë gjithë natën me aheng para mëngjesit të 6 Majit, dhe në të gdhirë ikim në lumë, por këtë vit nuk mund të shkojmë në lumë për shkak të masave kufizuese”, tha një anëtaret e komunitetit në lagjen Selitë.
“Këtë vit mesa duket ujin e lumit do e improvizojmë me ujë nëpër legena dhe fuçi,” ironizuan ai, duke theksuar që tradita e larjes së të këqijave në ujë është edhe ajo që finalizon ardhjen e një stine të re dhe të begatë për to.
Marrë nga Reporter.al