Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nisi provën e parë të një aplikacioni për gjurmimin e kontaktit këtë javë në një ishull të vogël në brigjet e jugut të Anglisë.

Duke përdorur teknologjinë Bluetooth, aplikacioni do të paralajmërojë përdoruesit nëse ata kanë qenë pranë dikujt që ka simptoma të koronavirusit ose nëse është pozitiv, shkruan CNN.

Aplikacioni, është zhvilluar nga njësia e teknologjisë dixhitale të Shërbimit Kombëtar të Shëndetit (NHS), dhe të parët që do të provojnë këtë aplikacion do të jenë këshilli dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor. Nëse rezulton se aplikacioni është i suksesshëm, ai do të aplikohet në shkallë vendi brenda disa javësh.

Por, ky aplikacion ka ngritur shqetësime për privatësinë, megjithëse ministrat thonë se aplikacioni është hartuar për të gjurmuar personat me koronavirus .

Kjo është pjesë e strategjisë së qeverisë për të dalë nga bllokimi, e cila synon të ketë testime të gjera dhe gjurmim të kontaktit për të monitoruar dhe zvogëluar çdo shpërthim të mundshëm në vijim.

Aplikacione të tilla mund të jenë mjaft efektive në ndalimin e infeksioneve në masë, sipas Christophe Fraser, një ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin e Oksfordit i cili po ndihmon në zhvillimin e aplikacionit në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka hetuar gjerësisht shpërthimet e SARS, H1N1 dhe Ebola.

Nëse njerëzit paralajmërohen se mund të jenë ekspozuar ndaj virusit, ata mund të ndërmarrin hapa për të parandaluar transmetimin e mëtejshëm.

Sidoqoftë, për të qenë me të vërtetë efektiv në frenimin e virusit, të paktën 60% e popullatës do të duhet të shkarkojë dhe të përdorë aplikacionin, u tha Frasher gazetarëve muajin e kaluar./abcnews.al