Ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia ka kritikuar qeverinë për kaosin krijuar në sistemin shëndetësor që i ka sjellë vdekjen një djali 30 vjeçar në Elbasan. Sipas tij, ndërsa “Sanatoriumi” ka dalë jashtë funksionit, spitalet e tjera janë ose në çoroditje ose në mbingarkesë urgjencash.

“Një djalë i ri 30 vjeçar ndërroi jetë para pak ditësh në spitalin e improvizuar në Elbasan, i cili ka zëvendësuar të pazëvendësueshmin Sanatorium. Jeta e tij shkoi dëm vetëm për shkak të kaosit të krijuar nga keqmenaxhimi i situatës me sistemin shëndetësor publik. Sanatoriumi ka dalë jashtë funksionit, duke u izoluar si spital COVID për 5 qytetarë, spitalet e tjera janë ose në çoroditje, ose në mbingarkesë urgjencash.

Denoncimi më poshtë tregon kalvarin 24 orësh Elbasan – Tiranë- Elbasan të të riut me turbekuloz, që humbi jetën. Është fare e qartë se improvizimi skandaloz me transferimin në Elbasan të pacientëve të Sanatoriumit të Tiranës po kushton jetë!”, shkroi Spahia në Facebook.

Ai shtoi se ky denoncim tregon sesa kushton paaftësia e Ministrisë së Shëndetësisë, arroganca për të këmbëngulur në këtë paaftësi.

“Na tregon sesi cirku i pacientëve sa në Tiranë dhe Elbasan rezulton me pasoja fatale! Zonja Ministre e Shëndetësisë, heshtja juaj nuk i mbulon dot me harresë këto denoncime! Bëhet fjalë për jetë njerëzish dhe jo për video të marketingut politik, me të cilat mbush i Facebook-un tuaj dhe të shefit tuaj.