Parukeritë, berberët dhe qendrat estetike do të funksionojnë në bazë të disa masave të rrepta të sigurisë për të shmangur përhapjen e COVID-19. Pas vendimit për hapjen e tyre në datën 11 maj janë të përcaktuara qartë edhe të gjitha hapat që do të ndiqen nga klientët por edhe punonjësit.

Çdo klient që do të shkojë të marrë shërbime duhet që të pajiset me qese një përdorimshe për këpucët, të cilat hidhen në kosh në dalje. Punonjësit edhe klientët duhet të mbajnë doreza dhe maska të cilat mund të hiqen në momentin që do të bëhet trajtim fytyre.

Të gjitha subjektet duhet të ruajnë distancimin prej dy metrash midis klientëve si dhe të dezinfektojnë të paktën tre herë në ditë ambjentet.

Po ashtu sipas protokollit të miratuar për këto subjekte, poltronat apo karrgiet ku ofrohen shërbimet duhet të vishen me mbështjellëse letre të tipit roll-on një përdorimshe dhe të ndërrohen pas çdo klienti.

Nëse nuk përdoret kjo masë atëherë është e detyrueshme që ambienti apo vendi ku kanë qenë të ulur klientët të dezinfektohet me alkool.

Po ashtu kërkohet që peshqirët të përdoren vetëm njëherë për çdo klient, ndërsa pas përdorimit hidhen në kosh të mbyllur të veçantë dhe lahen çdo ditë. Ndërsa çdo pajisje pune si gërshërë, makina qethëse, furça, krehër apo pjastra duhet të dezinfektohen pas çdo përdorimi.