Tashmë është kthyer në telenovelë në të gjitha mediat italiane, historia e ekipit të 30 mjekëve shqiptarë që u dërguan një muaj më parë nga qeveria shqiptare për të ndihmuar në vijën e parë në luftën kundër COVID19
10 prej tyre u gjobitën një natë para largimit nga policia, pasi pronari i Hotelit ku ata po qëndronin i denoncoi se kishin bërë potere në ambientin ku qendronin. Muzikë, alkool, këngë mes tyre “Bella ciao” mos ruajtje e distancës ishin arsyet pse ata morën një gjobë të majme prej 500 eurosh në rrugën pa lavdi të kthimit.
Sot, mediat italiane shkruajnë se mjekët tanë i kanë dërguar një letër autoriteteve italiane përmes delegacionit ku shprehin keqardhjen e tyre për këtë incident.
Pjesë nga letra e botuar në mediat italiane
Për fat të keq, në hotelin ku ishim vendosur në Breshia lejuam që ta tejkalonim me shprehjen e kënaqësisë për punën e kryer dhe për rezultatin negative në testin e tamponit të dytë, pa e kuptuar që po shkaktonim shqetësime. Duke pranuar që forcat e rendit por kryenin detyrën e tyre, jemi sinqerisht të hidhëruar për çka ndodhi dhe kemi dërguar një letër ku shpjegojmë gjendjen e veçantë shpirtërore në të cilën ndodhemi, me shpresën se përligjjet tona do të pranohen nga autoritetet italiane.
Ditën e djeshme,në mediat italiane dhe ato shqiptare bëri bujë lajmi se 10 nga mjekët tanë të dërguar në Itali u gjobitën me 500 euro për thyerjen e rregullave. Dosja.al intervistoi ekskluzivisht gazetarin Giuseppe Spatola, i cili rrëfeu të gjithë atë që kishte ndodhur përfshirë edhe disa ndodhi të pahijshme në spitalin ku ata shërbenin.
Në disa media shqiptare, pranë qeverisë, disa prej tyre mohuan të kishin thyer rregullat dhe thanë se e gjitha është sajesë e mediave shqiptare, pa marrë parasysh se i gjithë raportimi është bazuar në përkthimin e artikujve të mediave italiane. Tashmë, ata e pranojnë vetë atë që ka ndodhur dhe kështu mund të biem të gjithë në paqe.