Shpërdoroi detyrën, vihet në pranga nëpunësi i Gjendjes Civile në Koplik të Malësisë së Madhe.

Në pranga edhe ish-Drejtori i shkollës së Mesme Pyjore në Shkodër, për shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve shkollore. Procedohen penalisht në gjendje të lirë për shpërdorim të detyrës edhe dy mësuese të shkollës së Mesme Pyjore Shkodër.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë për Krimet Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale arrestuan shtetasin E.R., 60 vjeç, nëpunës i zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Administrative Koplik, Bashkia Malësi e Madhe. Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet duke shpërdoruar detyrën, ai ka pajisur një shtetas me certifikatë me të dhënat e një shtetasi tjetër.

Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër ndaluan shtetasin A.Ç., 41 vjeç, ish-Drejtor i shkollës së mesme pyjore në Shkodër, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”. Shtetasi A.Ç., në detyrën e Drejtorit, në vitin 2019, pas përjashtimit nga shkolla të nxënësit Z.L., i ka vendosur nota kaluese në lëndët e semestrit të dytë të klasës së 11-të, duke i dhënë klasën e 11-të këtij nxënësi, edhe pse ishte përjashtuar në mars 2019, si dhe është pasqyruar pa mungesa në regjistër, me qëllim që ai të përfundonte vitin shkollor në muajin qershor 2019.