Mjeku i njohur Pëllumb Pipero ka folur sërish sot në lidhje me situatën pandemike që po kalon Shqipëria. Ai theksoi se nëse puna kërkimore dhe testuese do vijojë me këtë ritme, shkenca shumë shpejt do ta ketë gati duke mos përjashtuar fillimin e vjeshtës.
“Fakti që vaksina po bën aplikimin në vullnetarë është një lajm i mirë. Unë mendoj se në fillim të kësaj vjeshte, të gjitha gjasat janë që të kemi një vaksinë” tha Pipero.
Në lidhje me mendimet se nikotina krijon një mburojë ndaj sëmundjes së COVID-19, Pëllumb Pipero e shpjegoi si vijon: “Përgjithësisht në këtë situatë ka pasur shumë mendime dhe shumë studime. Ka zëra pro dhe kundër, ndërkohë unë jam referuar disa studimeve të ardhura nga Kina, të cilat kanë dëshmuar se duhanpirësit kanë qenë më të prekur dhe e kanë kaluar më rëndë sëmundjen. Nuk besoj se është e vërtetë.
Gjatë një lidhje për Euronews Albania mjeku theksoi gjithashtu se nuk përjashtohet që të ketë një valë të dytë të COVID-19. Ai u shpreh se Shqipëria ka hyrë në tashmë në fazën përmbyllëse të pandemisë, e cila sipas tij, do të jetë më e gjatë, por jo aq agresive sa fillimi i saj.
“Nuk përjashtohet një valë e dytë e kësaj pandemie në vjeshtë apo në dimër. Ne jemi në gjysmën e dytë të pandemisë, kjo do të jetë më e gjatë, por më e qetë. Unë mendoj se kemi hyrë në fazën përmbyllëse të kësaj epidemie në vendin tonë. Epidemia quhet e përmbyllur, kur nga rasti i fundit kalohet një muaj pa u regjistruar asnjë rast” shtoi Pipero.