Dr. Ervis Krymi Situata e jashtëzakonshme që po përjeton i gjithë sistemi arsimor ka sjellë në qendër të vëmendjes nevojën e menjëhershme të aktivizimit të metodave të mësimit në distancë. Sigurisht, mësimi në distancë apo online nuk është një koncept apo realitet i ri, pasi përdoret për realizimin e shumë kurseve si një mënyrë funksionale dhe pozitive, veçanërisht në shoqërinë e sotme.
Dallimi në këtë periudhë është se çdo cikël edukimi, që nga arsimi parauniversitar dhe ai universitar është përkushtuar me kapacitetet e veta, të aktivizojë këtë formë të mësimdhënies, e cila po tregon avantazhet dhe disavantazhet e saj. Termi i mësimit në distancë shpesh përdoret në një mënyrë të përgjithshme për të identifikuar një lloj trajnimi apo mësimdhënie që zbatohet, në të vërtetë, nga distanca ose në të cilën nuk ka ndërveprim fizik midis pedagogut dhe studentëve, por gjithçka ndërmjetësohet nga përdorimi i mjeteve teknologjike.
Klasa online, i përgjigjet një parimi të thjeshtë dhe të bukur pedagogjik No Child Left Behind, Asnjë fëmijë nuk mbeti pas , i cili do të thotë personalizim i rrugëve të të mësuarit. Realisht e bukur për t’u thënë, më pak e lehtë për tu realizuar.
Për të mundësuar arritjen e suksesshme të realizimit të mësimit online, sipas perspektivës së organizatave të edukimit, faktorët kryesorë duhet të jenë: infrastruktura e besueshme e komunikimit, përshtatshmëria e pajisjeve digjitale, mjetet ose materialet mësimore të përshtatshme, metodat efikase të të mësuarit, mbështetja efektive e mësimdhënësit dhe nxënësit/studentit nga instuticionet arsimore, dhe bashkëpunimi i ngushtë në mes të aktorëve të ndryshëm të përfshirë në realizimin e mësimit online.
Më poshtë mund gjeni disa nga format dhe mjetet e komunikimit që mund të përdoren gjatë një situate si aktualja për “mësimin në distancë”.
Google Hangouts Meet: Platforma e bisedës me tekst dhe video online mund të përdoret për të mbajtur tekste ose biseda video një nga një ose për shumë (deri në 100 përdorues). Mund të përdoret gjithashtu për të shkëmbyer dokumente ose për të ndarë përmbajtjet e ekranit. https://hangouts.google.com
Zoom Një faqe bazuar në mjete të video konferencës përmes kompjuterit dhe aplikacion për mobil që lejon përdoruesit të takohen online, me ose pa video për 40 minuta kohë me më shumë se 100 pjesëmarrës. https://zoom.us Ka mundësi regjistrimi me video apo audio të cilat mund të konsultohen edhe më pas
Sistemet e menaxhimit të mësimit (Learning Management Systems- LMS): Sisteme që u mundësojnë pedagogëve dhe studentëve të bashkëveprojnë, të prezantojnë materiale, të organizojnë klasa online, të kontrollojnë detyra dhe të marrin pjesë, ndër funksionet e tjera. Mjetet e përdorura për funksione të tilla janë:
Google Classroom Studentët mund të gjejnë një arkiv të mësimeve me prezantime në PowerPoint, udhëzime për mësime dhe projekte ndërvepruese. Klasat individuale të Google mund të përfshijnë detyrat dhe pyetjet e mësuesve; temat e organizuara në module mundësi për bashkëpunim me klasa ose student të tjerë programi i takimeve në Google Calendar, dosje e klasës, e cila përfshin prezantimet dhe projektet PowerPoint nga studentet, mund të realizojë testime me Google forms.
Mësimi në distancë avantazhet
Përparësitë e mësimit në distancë janë të shumta. Së pari, lejon pedagogët dhe studentët të përkushtohen në dhënien e mësimit pa pasur nevojë të lëvizin nga shtëpia e tyre duke pasur parasysh situatën aktuale. Për më tepër, kjo gjithashtu, u ofron atyre që punojnë vazhdimin e trajnimin duke hyrë në përmbajtjen e të mësuarit sa herë që duan dhe pa pasur nevojë të heqin dorë nga rritja personale dhe profesionale, për shkak të mos pajtimit të angazhimeve dhe orareve të ndryshme.
Në këtë moment të gjendjes së pandemise, që detyron të gjithë të qëndrojnë në shtëpi, shkollat/universitetet janë të mbyllura, mësimi në distancë është një ilaç i mirë për vazhdimin e procesit të mësimdhënies e për të mos humbur ciklet e leksioneve. Fillimi i mësimit online vlerësohet me efekte pozitive në kuadër të kësaj periudhe, duke i mbajtur studentët të angazhuar dhe duke ua larguar vëmendjen nga Covid-19. Gjithashtu, izolimi në shtëpi, përkundër rritjes së përgjegjësive të prindërve, është konsideruar i vlefshëm dhe me ndikim në rritjen e nivelit të kohës produktive në mes të anëtarëve të familjes.
Mësimi në distancë disavantazhet Nëse përparësitë e mësimit në distancë janë të rëndësishme, megjithatë, ka shumë disavantazhe ose më saktë kufizime që duhet të merren parasysh. Në radhë të parë, bërja e mësimeve/leksioneve përmes teknologjisë anullon dimensionin human të bashkëveprimit pedagog-student dhe po ashtu, raportin midis vetë studentëve.
Edhe kur mësimi është i drejtëpërdrejtë përmes platformave të ndryshme online, mungojnë elementë të rëndësishëm që e gjallërojnë mësimin: para së gjithash kontakti njerëzor dhe komunikimi i drejtpërdrejtë, i cili përbëhet jo vetëm nga fjalët dhe dëgjimi, por nga gjestet, shprehjet që bëjnë ndryshimin në procesin e të mësuarit, në dëgjimin dhe kuptimin e përmbajtjes. Krahas kësaj, mundësia e ndërveprimit dhe krahasimit, e cila me teknologjinë është më pak e drejtpërdrejtë, e ngadaltë dhe shpesh çon në humbjen e disa elementeve të rëndësishëm dhe pasurues. Shpesh, jo të gjithë studentët kanë mundësi të kenë internet pa limit në shtëpi, dhe për këtë mund të mbesin pas me mësime.
Sidomos për nxënësit e sistemit parauniveristar, ku kontakti me mësuesin është thelbësor për rritjen dhe arsimimin e tyre, përdorimi i mediave është shumë kompleks dhe mund të mos jetë shumë funksional nëse nuk përdoret mirë.
Sidoqoftë, është e rëndësishme të kuptohet se si mësimi i drejtpërdrejtë dhe ai në distancë është një burim i rëndësishëm. Por, përdorimi këtij të fundit duhet marrë në konsideratë shumë gjëra: që nga lloji i audiencës drejt të cilit drejtohet, mosha e studentëve, ashtu edhe përmbajtja dhe mënyra e servirjes së materialit.
Qëllimi kryesor i arsimimit është të krijojë njerëz të aftë që dinë të realizojnë gjëra të reja, jo thjesht të përsërisin atë që kanë bërë brezat e tjerë njerëz që janë krijues e zbulues. Qëllimi i dytë i arsimimit është të krijojë mendje, që të mund të jenë kritike, që të mund të verifikojnë e jo të pranojnë çdo gjë që u jepet.