Në atmosferën e begatë të Muajit Ramazan, si dhe në kushtet e vështirësisë ekonomike, si pasojë e përkufizimeve drastike, për shkak të pandemisë Covid 19, ambasada e Shtetit të Kuvajtit në Tiranë, ka sjellë ditën e mërkurë, më 29 prill 2020, 150 pako ushqimore për njerëzit në nevojë.

Si një traditë e përvitshme bujare, në ditët e muajit Ramazan, ajo i është dorëzuar Myftinisë Shkodër, me ç’rast ka nisur edhe shpërndarja e këtij amaneti nga vëllezërit bamirës në Shtetin e Kuvajtit.

I pranishëm në vendin e shpërndarjes së këtyre ndihmave ishte edhe Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, që dha edhe një mesazh falënderimi në prani të mediave lokale.

Myftiu falënderoi kontritbutet e vyera të shtetit të Kuvajtit dhe institucioneve të tij bamirëse, si dhe vlerësoi se kjo ndihmë bujare përkon edhe me gjëndjen e rënduar ekonomike të njerëzve për shkak të situatës që po kalojmë.

Myftiu, shprehu një falënderim edhe për drejtuesin e Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, i pranishëm në këtë aktivitet bamirës.

Nga ana e tij, edhe z. Kaja falënderoi bamirësitë e Shtetit të Kuvajtit dhe theksoi se nëpërmjet fondacionit që ai drejton, po shprëndahen me mijëra ndihma ushqimore për nevojtarët e shumtë në të gjithë vendin.

Ditën e sotme, u shpërndanë ndihma ushqimore për familje në nevojë edhe në fshatrat Bardhaj, Bushat, Mjedë e Shirq.

Myftinia Shkodër do të vazhdojë të jetë në ndihmë të njerëzve në nevojë edhe përgjatë ditëve në vijim të muajit të begatë të Ramazanit.