Tregtarët e tregut të Zdrales në Shkodër, i mbyllur që më 14 prill, kanë dalë në protestë ditën e sotme, ku kërkojnë që tu gjendet një hapësirë tjetër ku mund të zhvillojnë aktivitetin e tyre.

“Mos na vini shkelmin” thotë njëri prej protestuesve, duke iu drejtuar përfaqësuesit të Bashkisë, duke thënë se situata ekonomike e familjeve të tyre është rënduar së tepërmi. Duke vënë theksin se nuk janë njoftuar më herët, po ky vendim ka ardhur papritur, duke bërë që malli i tyre të mbetet stok dhe të prishet në makina. Ato shprehen se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga paketat financiare të qeverisë, pasi janë tregtarë të lirë dhe nuk kanë nipt.

“Të na gjejnë vendin për të shitur, ne nuk duam që të na falin gjë. Jemi qytetarë të këtij vendi”

“Jam një tregtar vogël, që duam një zgjidhje, prodhoj, prodhoj, po ku ti çojmë. Kam ndjekur në shtëpi gjithë këto ditë. Jam dakord kudo që të na vendosë Bashkia dhe për tarifës, por të mos na vendosin shqelmin. Kemi marrë 400-500 mijë lekë mall, të na lajmëronit të paktën përpara nja 2 ditë, të mos merrnim të paktën furnizim. U prish malli në makinë. Nuk përfitoj nga paketa, jam tregtar i lirë. Dua të na caktojnë vendin” shpreh disa nga qytetarët.

Një prej tregtarëve ngre shqetësimin se as numri i Bashkisë që është vënë në dispozicion nuk ekziston, por një gjë e tillë është mohuar nga përfaqësuesi i Bashkisë, i cili tha se nuk ka marrë një përgjigje për shkak të mbingarkesës së madhe.

“Kam marrë numrin e telefonit e vendosur te Bashkia dhe më del nuk ekziston. Unë e kam marrë e shkreta, për t’ia qarë hallin se të thashë 4 fëmijë, burrë e grua dhe 2 pleq…më qan fëmija, më qan plaku”, tha qytetarja, e cila mori dhe përgjigje nga përfaqësuesi. “Shkruaj një mesazh, jam filania, kam këtë shqetësim të garantoj që dikush të kthen përgjigje” tha ai.

Pas më shumë se 30 minutash në protestë, tregtarët janë kthyer në shtëpi, me premtimin se do t’u gjendet një zgjidhje për problemin e tyre. Ky treg u mbyll më 14 prill pas një vendimi të komisionit për situatën atje, pasi nuk respektonte rregullat higjeno sanitare të përcaktuara nga OBSH gjatë situatës pandemisë globale. Ndërkohë që vijon të mbetet i hapur tregu i Rusit, por me masa të rrepta sigurie.