Rihapja e bizneseve të shitjes me pakicë ka sjellë sërish dyndje të njerëzve në qytetet kryesore të vendit. Por, më e theksuar kjo dyndje është vërejtur sërish në qytetin e Shkodrës.

Qindra qytetarë shkodranë kanë dalë për të bërë pazare pa u kujdesur fare për ruajtjen e distancës mes tyre. Ndërkohë, në hyrje të tregut, përveç fluksit të shtuar nuk funksiononte as tuneli dezinfektues.

Vetëm prezenca e punonjësve të policisë duket se nuk ka mjaftuar për të ndërgjegjësuar qytetarët.

Ndërkohë, më e qetë është paraqitur situata në qytetin e Vlorës. Edhe pse në rrugë kishte numër të lartë qytetarësh, në dyqane nuk u vërejtën grumbullime, edhe pse sot ishte dita e parë e hapjes të një sërë shërbimeve, kryesisht ato të shitjes me pakicë të konfeksioneve.

Ndërkohë, policia në Vlorë ka shoqëruar disa persona që nuk u rezistuan dot temperaturave të larta, duke shkuar në plazh.

Edhe në qytetin e Elbasanit, rihapja e dyqaneve të shitjeve me pakicë nuk ka shkaktuar grumbullime. Në ditën e parë pas thuajse 6 javëve izolim, dyqanet e hapura nuk kanë patur frekuentim të shtuar nga qytetarët.

Ndërkohë, taksistët duken më të goditur nga ky pezullim. Ata shprehen se përveç periudhës së ndalimit, edhe tani që u lejuan të punojnë, kufizimet e caktuara nga qeveria për qytetarët i penalizojnë shumë në ushtrimin e aktivitetit të tyre.

“Pavarësisht se u hap si punë, ne faktikisht punë nuk kemi. Unë kam dalë që në orën 5 të mëngjesit dhe tani që ora ka shkuar 11:30 nuk kam bërë asnjë rrugë. Kështu si unë janë të gjitha taksitë”, shprehet një taksist.