Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i përgjigjet me tone të ashpra gazetarit Baton Haxhiu, i cili, duke folur kundër një marrëveshjeje me Serbinë, tha në një ekran kosovar se Gjykata Special duhet të zhbëhet, dhe se nuk duhet bërë amnisti në të dyja vendet, Shqipëri e Kosovë, pasi sipas tij, pas 20 vitesh nuk kanë pse dënohen njerëzit.
Ish-ministri Bushati shkruan në “Facebook” se qëkur u shfaq kërcënueshëm Gjykata Speciale për krimet e supozuara, teknologët politik u vunë në lëvizje për shpjegimin e “planeve të mëdha”, sa nëpër zyra shteti, e sa nëpër studio televizive me harta në duar.
“Me një padituri rrënqethëse a thua se po flitet për cilësinë e miellit serb të importuar në Shqipëri, apo për nevojën e transferimit në Shqipëri të eksperiencës Kosovare në homologimin e automjeteve, e jo për integritetin territorial e sovranitetin e Kosovës!” shkruan Bushati mes të tjerash.
Asgjë nuk është e vërtetë, çdo gjë është e mundshme!
Ky është titulli i një prej librave më të lexuar të kohës sonë, shkruar nga Peter Pomerantsev, i cili shpjegon eliminimin e të vërtetës nga të ashtuquajturit “teknologë politik” në shërbim të padronëve të tyre. Libri tregon sesi teknologët politik, në shërbim të këtyre të fundit dhe oligarkëve grabitqar të bërë njësh me to, paguhen për të krijuar një realitet të rremë.
E njejta histori po ndodh në Kosovë qysh se në horizont u shfaq kërcënueshëm Gjykata Speciale për krimet e supozuara. Të nxitur nga parimi “fati personal i padronëve mbi fatin e popullit”, teknologët politik u vunë në lëvizje për shpjegimin e “planeve të mëdha”, sa nëpër zyra shteti, e sa nëpër studio televizive me harta në duar. Në disa raste duke folur në emër të aleatëve strategjikë të Kosovës me injorancën që i karakterizon, e në raste të tjera me nostalgji në emër të Serbisë. Me një padituri rrënqethëse a thua se po flitet për cilësinë e miellit serb të importuar në Shqipëri, apo për nevojën e transferimit në Shqipëri të eksperiencës Kosovare në homologimin e automjeteve, e jo për integritetin territorial e sovranitetin e Kosovës!
Gjatë viteve të projektimit të realitetit të “ri” në Kosovë janë rrëzuar qeveri, janë paguar lobistë për të nxjerrë në tryezën e bisedimeve e hapësirën mediatike tema të pluhurosura në arkivat e Serbisë, por problemet veçse janë thelluar. Ndërkohë që projekti i shtetësisë ka ngecur dhe projekti qeverisës, që mori mbështetje të gjerë popullore më 6 Tetor 2019, është minuar.
Tani po hyjmë në fazën finale ku synohet të projektohet një realitet sipas të cilit, planet e mëdha për amnesti të krimeve të Serbisë në Kosovë, zhbërja e Gjykatës Speciale dhe një copëtim territorial në veri të Kosovës duhet të kthehen në një “marrëveshje historike”
Një pakicë shqipfolëse po e katandis projektin e Kosovës shtet, nga parimi i barazisë së kombeve sovrane, që nënkupton para së gjithash reciprocitetin dhe fqinjësinë e mirë e përgjegjësinë shtetërore të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, në amnesti për krimet e kryera prej saj (krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, genocidi, tortura, skllavëria etj, sipas të drejtës ndërkombëtare, kanë fituar statusin e normës jus cogens, që është kategoria më e lartë e rregullave në hierarkinë e së drejtës ndërkombëtare. Këto norma nuk parashkruhen e nuk derogohen me asnjë marrëveshje dypalëshe apo traktat ndërkombëtar. Përkundrazi normat jus cogens krijojnë detyrim erga omnes për shtetet).
Nga besimi se drejtësia ndërkombëtare duhet të zbardhë çdo akuzë për krime të supozuara në Kosovë, duke mos njollosur aspak luftën e drejtë çlirimtare të bijve të UÇK-së, me vendosjen e barazisë në krime mes Serbisë dhe Kosovës e amnestimin e tyre.
Nga një marrëveshje përfundimtare që bazohet në të drejta dhe hap perspektivën për procesin e pajtimit dhe anëtarësimin në BE të Kosovës dhe Serbisë, në një copëtim territorial që nuk gëzon as mbështjetjen e popullit e as të aleatëve strategjikë të popullit shqiptar.