Mjeku Pëllumb Pipero ka habitur me deklaratën e tij ku ka shprehur dëshirën për të prekur nga afër pandeminë e koronavirusit, pra për të qënë një pacient pozitiv.

Në një lidhje live për “News24”, Pipero tha se ishte testuar për COVID-19 dhe kishte rezultuar negativ, por shtoi se në fakt do dëshironte që të ishte pozitiv.

“Po, e kam bërë testin seriologjik që u është bërë stafit shëndetësor që nga e hëna, jam negativ akoma, por do doja të isha pozitiv të kisha rënë në kontakt me koronavirusin për të fituar imunitet,” tha Pipero

Më tej në një prononcim për Dosja.al, Pipero sqaroi deklaratën e tij. Në fjalën e tij Pipero tha se do të donte që të fitonte imunitet natyral prej koronavirusit por jo që të sëmurej.

“Është e vërtetë që do të dija të isha pozitiv me IgG që tregon fillimin e fitimit te imunitetit pas rënies në kontakt me virusin, pra të atij që quhet imunitet natyral, dhe në asnjë mënyrë i sëmurë, edhe pse njerëz jemi dhe mund të sëmuremi. Ka një dallim esencial midis analizës përmes tamponit që është diagnostikuese dhe serologjisë që dëshmon rënie në kontakt, pra ekspozim, dhe fitim gradual të imunitetit! sqaroi mjeku.