Nga Elkier Bushkolaj
Fasoneritë në vendin tonë ashtu siç pritej janë kthyer në një vatër të nxehtë të përhapjes së virusit Covid-19, duke rrezikuar jetën e mijëra grave dhe burrave që punojnë në këtë sektor.
Në një vend ku prej 45 ditësh ndalohet qarkullimi në një automjet i më shumë se dy personave, gratë që punojnë në fasoneri udhëtojnë me autobuzë dhe furgonë nga një rreth në tjetrin, ndërkohë prokuroria vijon të jetë në karantinë.
Gratë që punojnë në rrobaqepësi prej 30 vitesh janë të diskriminuarat nga Shteti Shqiptar dhe fasoneria është sektori ku trajtohen me pagën minimale mbi 90 % e punonjësve.
Të mos flasim për sjelljen e pronarëve të tyre që përshkruhet vetëm me një fjalë, babëzi.
Shumë prej këtyre zonjave vijnë nga shtresat në nevojë, e në mjaft raste janë edhe kryefamiljare, teksa paga e tyre është e vetmja e ardhur në familje.
Në kohë paqeje për këto gra kujtohen vetëm me 8 Mars “Madamat e Parlamentit”, kryesisht të partisë në pushtet dhe të shoqërisë civile që gllabërojnë miliona euro nga BE për trajnime në emër të mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Pasi shkojnë dhe i vizitojnë në vendin e punës u dhurojnë ndonjë lule plastike si shpërblim për fotografinë që hidhet në facebook apo instagram dhe për 364 ditë nuk u bie më ndërmend për to.
Mendoni pak “Zonjën Koporatë” që flet për të drejtat e tyre në parlament dhe Ministreshat që thonë se me liderin tonë global do ti respektojmë këto të drejta.
Vitin që lamë pas u regjistruan tre raste helmimi masiv në fasoneritë e Durrësit, e pavarësisht jehonës mediatike që mori ky skandal, asnjë institucion se vuri ujin në zjarr.
Shkaku doli kondicioneri, e jo lëndët kimike që përdoren në masë, ndërkohë ato fasoneri sot e kësaj ditë vijojnë punën normalisht.
Janë rreth 70 mijë gra në Shqipëri që punojnë në këtë sektor, teksa ishin kategoria me e ekspozuar ndaj Covid-19 për shkak të bashkëveprimit që ky biznes ka me Italinë por edhe me Kinën, nga ku vijnë një pjesë e mirë e produkteve.
“Babai” i Shqipërisë që pretendon se jemi në gjendje luftë dhe strehohet ne bunkerin e tij në Surrel të ndërtuar më paratë e fituara nga ekspozitat e tij të pikturave në kohën kur magjepste Parisin nuk e pa të arsyeshme që të mbylleshin fasoneritë, pasi paga e luftës për 70 mijë punonjëse rëndon në buxhet po aq sa në koncesion për Vilmën, e kjo e fundit është një grua që për qeverinë shqiptare vlen më shumë se jeta e mbi 70.000 bashkëqytetareve të saj.
Hipokrizia e qeverisë me punonjësit e këtij sektori nuk njeh limit e atë nuk e zvenit as propaganda boshe se po e menaxhojmë pandeminë e Covid-19 më mirë se Gjermania dhe as batutat bajate të shefit qeverisë, që mesa duket pasi të heqë dorë nga politika do t’i hyjë aktrimit në zhanerin e komedisë, ku ka dhënë prova se është po aq i talentuar sa në pikturë.
© SYRI.net