Më pas kryeministri sqaroi se në mbledhjen e sotme të qeverisë u diskutua mbi planin dhe strategjinë që do të ecet për hapjen graduale me pilotim në disa qytete dhe jo në bllok në vend. Hapja e fragmentuar në mënyrë graduale do të bëhet në bazë të hartës së epidemisë.

Konkretisht, kreu i qeverisë mori shembull tre kategori qytetesh për të treguar si do të bëhet hapja. Ai tha se në Gjirokastër dhe në Dibër ku nuk ka asnjë të prekur do të ketë më shumë lehtësim masash, në Krujë që është një nga vatrat më të nxehta nuk do të ketë asnjë lehtësim dhe në Tiranë dhe Durrës masat do të jenë të moderuara. Javën e ardhme në bazë së hartës së epidemisë do të nis pilotimi në zonat me risk të ulët.

“Për shembull në Gjirokastër apo Dibër ku risku është shumë i ulët mund të kemi më shumë lehtësim masash, ndërsa në Krujë për momentin asnjë lehtësim, apo në Tiranë dhe Durrës që kanë itensitet popullate, një lehtësim të moderuar. Këto mund të variojnë në bazë të dinamikës së luftës dhe sjelljes së qytetarëve.

Kjo qasje taktike do të lehtësojnë dhe mësojë që të mos kthehemi të gjithë pas se u rrit efekti i valës goditëse. Kjo do të lehtësojë shumë në zona të ndryshme lëvizjen me këmbë apo me makinë brenda për brenda zonës pa i detyruar që të rrinë mbyllur si një zonë me risk të lartë.

Brenda disa bashkive mund të lehtësojmë shumë lëvizjen duke hequr dhimbjen e kokës për shembull për njerëzit e fshatit për të shkuar në qytet, apo një familje që të rrijë e gjithë brenda se vetëm një anëtar mund të dalë në pazar.

Edhe fashat orare nuk kanë pse të jenë njëlloj si në zonat me risk të ulët dhe te ato me risk të lartë. Masat e shtrënguara në një zonë me rrezik të lartë, mund ta kthejnë me rrezik të ulët si zonë. Javën e ardhme në bazë së hartës së epidemisë do të pilotojmë në disa zona me risk të ulët një lehtësim të masave” tha Rama.