Plot 720 mijë euro të taksapaguesve shqiptarë janë shpenzuar në mënyrë të fshehtë nga ish-ministri Ditmir Bushati për “përmirësim imazhi”.
Skandali është zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë një auditimi të financave publike. Paratë janë përdorur gjatë kohës që Bushati drejtonte Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila rezulton e përfshirë në disa skandale gjatë viteve të fundit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit thotë se në datë 23.02.2018 me vendimin numër `115, Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme i janë dhënë 127.65 milion lekë dhe 80.40 milionë lekë në total 720.000 euro për lidhjen e kontrates me kompaninë “APCO WORLDWIDE” me seli në Washington.
Objekti lidhjes së kësaj kontrate është këshillimi dhe promovimi dhe paratë e përdorura për lobim janë marrë nga Fondi i Kontigjencës.
“APCO WORLDWIDE”, që është paguar në mënyre sekrete me paratë publike, është përdorur nga Nursultan Nazarbajev (ish presidenti i Kazakistanit) dhe nga shumë kompani të tjera për të rregulluar imazhin e tyre dhe çështjet e tyre politike.
Skandalet në diplomacinë shqiptare
Lobimi 720 mijë euro për të kuruar imazhin e tij nëpër botë nuk është skandali i vetëm i ish-ministrit Bushati, i cili ka hequr dorë nga kritikat publike ndaj qeverisë, që prej momentit që u emërua si i dërguar i Posaçëm në OSBE.
Sapo futi këmbët në Ministrinë e Jashtme, Ditmir Bushati rrënoi ligjin për diplomacinë, ku emërimet i ktheu nga 20 % në 100 % politike. Ai nisi menjëherë një furtunë shkarkimesh në diplomaci, për t’i zëvendësuar me njerëzit e tij. Por nëse demokratët shkelnin ligjin me një VKM, Ditmir Bushati arriti deri aty sa të bëntë ligjin siç e donte vetë.
Ndryshimi i ligjit, solli edhe uljen e cilësisë së shërbimit të jashtëm shqiptar. Një emision investigativ Top Story, që transmetohet në Top Channel, zbuloi në shtator 2019, se ish-ministri kishte emëruar në shkelje të ligjit 80% të administratës diplomatike.
Top Story zbuloi gjithashtu, se Ditmir Bushati kishte pajisur konsujt e nderit me targa diplomatike CD në kundërshtim me ligjin.
Bushati rezultoi i përfshirë edhe në një skandal politik dhe financiar 725 milionë dollarë. Bëhet fjalë për vëllezërit indianë, Nitin dhe Chetan Sandesara, të cilët, në mënyrë të çuditshme, edhe pse ishin në kërkim ndërkombëtar, të dy ata ia kishin dalë të merrnin pasaportë shqiptare dhe të nisnin madje edhe investimet në fushën e ndërtimit.
Ata e kanë marrë nënshtetësinë shqiptare në kohën kur në krye të Ministrisë së Jashtme ka qenë Ditmir Bushati. Madje atë kohë njëri prej vëllezërve, Nitin Sandesara, u ngrit edhe në detyrë, duke u emëruar nga Ditmir Bushati, konsull nderi i Shqipërisë në Nigeri.
Së fundmi, kunati i tyre Hiteshkumar Patel, çuditërisht ka marrë azil politik në Shqipëri, duke i shpëtuar dënimit në Indi.
©Copyright Gazeta SHQIP