Gazetarja Ilva Tare e pyet: Si ndjehej ai, a mendonte se kish marrë nga jeta atë që meritonte? Nga vendi i tij?
Aktori, regjisori dhe miku i ngushtë i Rikardit, Mevlan Shanaj i përgjigjet: Ja më thuaj ti se je vajzë e zgjuar: A marrin gjë njerëzit e ndershëm në këtë vend?
Aktori i madh të filmit shqiptar, Rikard Ljarja ndërroi jetë mbrëmë në moshën 77-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë prej kohësh. Largimi i aktorit nga kjo jetë ka përlotur qytetarët shqiptarët ndërsa sot iu dha lamtumira e fundit në qytetin e Shkodrës, aty ku u ngjit në skenë për herë të parë.
Mevlan Shanaj tregoi në Ilva Now rreth jetës së Rikardit, por edhe për modelin e ri që solli në kinematografinë moderne shqiptare. Shanaj theksoi se humbja e Rikard Ljarjas është një humbje e madhe kombëtare.
“Ka qenë një miqësi e lashtë mbi 50 vite dhe ardhja e Rikardit në ekranin shqiptar ishte një gjë e re, ishte një befasi. Rikardi është konsideruar si pionieri i kinemasë moderne dhe kur erdhi Rikardi me portretin e tij solli një dëlirësi, solli atë që çdo shikues kishte dëshirë ta ketë brenda vetes. Nuk ishte madhësia e intepretimit, por i çuditi çiltërsia e këtij njeriu, i cili solli mendësi të re dhe kulturë të re. Ne e kishim Rikardin në majën tonë. Me Rikardin kam miqësi të lashtë që nga fëmijëria. Kemi bashkëpunuar si aktore, kemi shkëmbyer rolet tona. Figura e Rikardit erdhi duke u zgjeruar nga kultura dhe thellësia e tij. Çdo njeri të Rikardi shikonte idealin e vet, prandaj ka qenë kaq shumë i respektuar dhe i dashur. Ai ishte artist kompleks. Unë kam qenë non stop mik, vetëm dje nuk kemi folur. Nuk kishte dëshirë ta shikoja, sepse ishte rënduar. Ai ka qenë gjithmonë i hapur dhe asnjëherë i kursyer dhe një mik që nuk e gjen dot në jetë, nuk e gjen dot fisnikërinë e Rikardit. Është një humbje kombëtare” tha ai
Aktori Shanaj nuk i përmbajti dot lotët dhe nuk e fshehu dot dhimbjen e madhe, që i ka shkaktuar largimi i mikut të tij, siç ishte kolosi i kinematografisë moderne shqiptare, Rikard Ljarja.
“Ai ishte njeri i hapësirave të mëdha, por më thuaj ti: Ka njeri në Shqipëri që e ka marrë vlerën për së gjalli? Rikardi ishte djalë i ditur dhe e dinte psikologjinë e shqiptarëve më shumë se shqiptarët. Ai nuk ishte njeri i smirave,. Ai nuk tha njëherë “unë unë”, ai nuk e dinte këtë fjalë. Rikardi kishte një modesti të lakmueshme. E kam lakmi atë mënyrën e tij të komunikimit” shtoi Shanaj.