Ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare Rikard Ljarja artisti i njohur i filmit. Ai vuante prej kohesh nga një sëmundje e rëndë ndërsa mësohet se i ka mbyllur përfundimisht sytë në banesën e tij.
Mësohet nga burimet se ceremonia mortore për shkak të situatës do jetë me rrethin e ngushtë familjar. Amaneti i tij ka qenë të prehet në Shkodër dhe bëhet me dije se atje do të zhvillohet edhe ceremonia mortore.
Rikard Ljarja lindi 1 prill 1943 në Shkodër dhe është një aktor i teatrit dhe kinemasë shqiptare. Në vitin 1960 mbaroi maturën në Shkodër kurse në vitin 1965 u diplomua në Shkollën e Lartë të Aktrimit “A. Moisiu”, Tiranë.
Për tetë vite, pas diplomimit, punoi aktor i teatrit në Teatrin “Migjeni” në Shkodër. Prej vitit 1973 deri në vitin 1996 ai ishte aktor, scenarist dhe regjisor i filmave të prodhuar nga kinostudiot. Prej 1996 deri 2002 kur doli në pension, ishte drejtor artistik në televizionin publik shqiptar.