
Vazhdon akrobacia për të kontrolluar shifrat në Shkodër. 4 nga 11 të prekurit e pranuar zyrtarisht sot janë familjarë të dy pacientëve prej lagjes Xhabije në Shkodër, të shtruar prej një jave në spitalin infektiv në Tiranë.
Kërkesat e tyre të përsëritura që të testoheshin, sepse vetëkarantinimi vullnetar nuk mjaftonte për shkak se u ishin shfaqur simptoma mjaft serioze, prej më shumë se një jave kanë rënë krejtësisht në vesh të shurdhër. Më në fund autoritetet janë detyruar të veprojnë. « Më mirë vonë se kurrë », thotë një fjalë e urtë, e cila në këtë rast ka koston me vete.
Duhet patjetër të rritet numri i testimeve si dhe të intensifikohet gjurmimi i kontakteve, sepse 3600 të ardhur nga Italia, janë lejuar të lëvizin lirisht, ndërsa kanë infektuar, sic e kemi parë familjarët e tyre të parët. Eshtë një realitet kokëfortë, që nuk fshihet si shifrat, por që kërkon adresim të menjëhershëm.
Koha po na tregon, me fakt konkret Shkodrën, se deri tani, kryeministri ka ndaluar vetëm shifrat, por jo përhapjen e Koronavirusit!