Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur edhe akuzave të PD dhe ish-kryetarit Sali Berisha i cili ka deklaruar se është informuar që ka viktima të tjera nga koronavirusi.
Ministria e Shëndetësisë deri më tani ka deklaruar se në vend ka 23 viktima, ndërsa Rama duke iu përgjigjur akuzave të Berishës është shprehur se ai është në kërkim të viktimave çdo ditë.
Ato pak tamponë janë bërë për deputetë e familjarë të tyre, a ka të vërtetë në këtë akuzë?
RAMA: S’dua të humbas kohë me kryetarin e PD se realisht është për të ardhur keq që në mes të një lufte ku është sot njerëzit meritojnë që nga çdo figurë publike, pavarësisht statusit të kenë mbështetje, inkurajim, ndihmë solidare në kuptimin e zemrës e mendjes së angazhuar, fjalë të tilla, akuza të tilla janë tragji-komike për një kryetar partie e për një parti.
Çfarë do të thotë që testet i kanë bërë deputetët? Testet s’janë ushqime që po i hiqen nga goja njerëzve në nevojë e po i gllabërojnë deputetët.
Në fund ajo që vlen është rezultati, nëse do kishim një strategji të kësaj politike të suksesshme shëndetësore deri tani që do kish qenë pa rrugë e pa sy e pa mendje, do kishim pasur spitale të mbingarkuar e njerëz që vdisnin rrugëve.
E kuptoj që ka një dëshpërim siç ka pasur gjithmonë nga kryetari apo nga PD që nuk ka më shumë të vdekur e më shumë probleme, më shumë halle, dëshpërim në popull, unë e kuptoj këtë.
Ju thoni që këtë do kryetari i PD?
RAMA: Mendoj që nëse thuhen gjëra të tilla, me ose pa dashje nxirret në mexhelis një dëshirë që mund të jetë edhe e pavetëdijshme në një kohë që unë di shumë mirë që lideri legjendar i PD është në kërkim të kufomave. Lideri legjendar i PD është në kërkim të viktimave çdo ditë. Është një haluçilacione që të vdekur nga koronavirusi nuk raportohen. Patjetër ka dijeni drejtpërdrejt nga Shefi imagjinar i shërbimeve Funerale. Se s’ka të vdekur të tjerë nga Epidemia që i ka shpëtuar syrit të mediave dhe dynjasë dhe u fshihkan me kaq sukses nga qeveria. Kjo janë gjëra të turpshme dhe të fajshme. duhet të bëjmë çmos të jemi pranë njerëzve. Por kjo është thjeshtë të jesh pranë karriges dhe imagjinatës që vazhdon e ushqehet me dokrra.TCH