Në një lidhje direkte për Abc News Gjok Uldedaj sqaroi kërkesat e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë për qeverinë.
Ai tha mes të tjerash se bizneset kërkojnë që në paketën e dytë ekonomike e cila pritet të bëhet publike nga qeveria, të përfshihen përveç pagave për të papunët, edhe likuiditete. Po ashtu Uldedaj thekson se qeveria duhet të përjashtojë bizneset nga detyrimet për tatimet në këtë periudhë të vështirë.
“Biznesi ka mbështetur të gjitha këto vendime të qeverisë të deritanishme që lidhen me distancimin social, për të mbajtur nën kontroll ato që po vijnë nga ky virus. Biznesi privat punëson rreth 600 mijë punonjës, ku edhe nga deklarimet që bëri ministrja e Financave deri në këto momente kemi rreth 61 mijë të papunë që po kompensohen. Argumenti i biznesit i unifikuar është që qeveria përveç fondit të pagave, për ata që dalin të papunë, biznesi kërkon që në paketën tjetër ekonomike që qeveria do ta miratojë, nëpërmjet kësaj pakete biznesi i sjell në vëmendje qeverisë që përveç kompensimit të pagave kredia sovrane duhet të jetë më tej. Të përfshijë edhe likuiditete dhe jo vetëm paga. Krahas kësaj biznesi kërkon që të përjashtohen nga detyrimet tatimore të kësaj periudhe.
Dhe njëkohësisht të shtyhen detyrimet që janë të lidhura me 2020. E gjitha kjo duhet të jetë e futur në një paketë, që kjo paketë të prekë të gjitha bizneset. Kjo është një krizë e thellë ekonomike, që po të mos ndërhyhet me një paketë të zgjuar do të përballemi me pasoja që janë të parevokueshme më vonë” tha ai.
Uldedaj nënvizon se kjo krizë ka shkundur sistemin dhe ka bërë që sipërmarrjet të mendojnë për një ridimensionim.
“Gjithë kjo krizë ka bërë që të shkundet sistemi. Ky sistem ka prodhuar edhe defekte, dhe kërkojnë një rideminsionim nga ana e sipërmarrjes. Sipërmarrjet kanë filluar edhe të rideminsionojnë punën e tyre. Disa sektorë jetikë treguan se nuk funksionuan si duhet. Qeveria në bashkëpunim me biznesin duhet të prodhojnë politika të tjera, pse jo edhe një model tjetër ekonomik.
Po ti referohemi eksperiencave edhe të vendeve të tjera, tregojnë për shifra të jashtëzakonshme, po të marrim vendet e rajoni si Serbia që ka akorduar 5.1 miliard euro. Ato që janë akorduar te ne në paketën e parë janë të pamjaftueshme për biznesin. Nëse ne nuk injektojmë biznesin në këtë periudhë, jo vetëm për pagat, ne s’do bëjmë gjë tjetër veçse do hapim një gropë të madhe” shtoi Uldedaj. /abcnews.al