Fshehja e sëmundjes për shkak të stigmatizimit ka qenë edhe një nga shkaqet e përhapjes së koronavirusit.
Presidenti Ilir Meta apeloi qytetarët që të mos kenë turp nga ky fakt por të kryejnë testimin apo të karantinohen nëse kanë dyshime se janë infektuar apo kanë pasur kontakte me persona të infektuar.
Meta: Dua të ftoj të gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues në këtë proces, të mos ndihen fajtorë dhe të rrezikojnë duke mos bashkëpunuar për të bërë testin apo realizuar procesin e karantinimit për rastet e dyshuara për kontaktet. Nuk është turp të kesh COVID 19 por është turp të jesh i pakujdesshëm dhe t’ua transmetosh njerëzve të tjerë të familjes, miqve, fqinjëve e me radhë.
Duke folur nga Shkodra, vatra e dytë e zjarrit pas Tiranës, Meta tha se shpreson shumë te qytetaria shkodrane do të ngrihet në lastësinë e duhur, duke respektuar me rigorozitet këshillat dhe kufizimet e autoriteteve shëndetësore.
Meta: Jemi në rrugën e duhur të përmirësimit të situatës, shpresoj duke filluar nga sot edhe në qarkun e Shkodrës që është qark mjaft i ekspozuar edhe për shkak të tre pikave të kalimit kufitar që vazhdojnë të jenë aktive për mjaft shërbime të ndryshme por edhe për arsye të tjera. Shpresoj dhe besoj shumë te qytetaria shkodrane dhe tek përgjegjshmëria e tyre dhe bashkëpunimi i tyre me autoritetet vendore.
Për tu njohur më nga afër me situatën e krijuar nga pandemia në qarkun e Shkodrës, Meta dhe dy këshilltarët e tij Petraq Milo dhe Tedi Blushi zhvilluan takime me prefektin e qarkut Çesk Midhja, drejtorin e Shëndetit Publik në këtë qark dhe kryebashkiaken Voltana Ademi.
Presidenti tha se janë të gjitha kapacitetet për të menaxhuar më së miri këtë pandemi nëse ekziston bashkëpunimi i duhur mes pushtetit vendor dhe qëndror.
Meta: Pata kënaqësinë të takoja prefektin e qarkut, drejtorin e Shëndetit Publik të qarkut dhe kryetaren e nderuar të bashkisë Voltana Ademi për tu njohur më nga afër me përballimin e kësaj pandemie që ka prekur edhe qarkun e Shkodrës si gjithë vendin tonë. Kam besim se përmes bashkëpunimit të pushtetit vendor dhe qëndror janë të gjitha mundësitë për ta menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme këtë krizë dhe pandemi. Është i rëndësishëm edhe bashkëpuimi i qytetarëve në respektimin e kufizimeve, të distancës sociale dhe këshillave të autoriteteve të shëndetit publik në mënyrë që sa më shpejt jo vetëm të izolojmë të rastet dhe të ndihmojmë për të shëruar të gjithë të prekurit nga COVID 19 por edhe të garantojmë mposhtjen e kësaj pandemie sa më shpejt por dhe rikthimin në normalitet të jetës sonë sa më parë të jetë e mundur. Kjo e dyta do të varet nga efikasiteti i të parës. E falenderoj dhe kryetaren e bashkisë për angazhimin dhe përkushtimin e saj. Përmes këtij bashkëpunimi do të arrijmë dhe në bashkinë e Shkodrës, që është bashki mjaft e vështirë po të kesh parasysh edhe shtrirjen gjeografike të saj, për të ndihmuar shëndetin e qytetaëve tanë, për të mbrojtur jetën e tyre.
Testim apo izolim?
Vendet që kanë më shumë rezultate në luftën ndaj pandemisë janë ato që po kryejnë testime.
Nga ana e qeverisë shqiptare ka një hezitim në këtë drejtim, duke u mjaftuar me masat kufizuese.
Lidhur me këtë çështje Presidenti pati këtë koment.
Meta: Procesi i kufizimeve është proces që po e ndjek shumica e vendeve. Ne jemi fqinj të Italisë me të cilin kemi shkëmbimet më të mëdha njerëzore dhe ekonomike. Duhet të jemi të duruar dhe të respektojmë këto kufizime. Përmes gjurmimit efikas të gjitha rasteve të identifikuara dhe testimeve do të arrijmë të izolojmë të gjithë rastet që të mos kemi shpërndarje të mëtejshme por shërim të gjithë personave të prekur dhe vatrave të deritanishme.