Kryeministri Edi Rama paralajmëron lehtësimin e masave kufizuese, nisur nga panorama ndryshe që pa sot në tregun e Kombinatit, ku të detyruar nga sinjalistika, qytetarët respektuan distancimin social.
“Vetëm disiplinimi i plotë këtë javë na hap shtegun për lehtësimet me pikatore. Brenda ditës sot gati rritja e ndëshkimeve, që i hap rrugë lehtësimeve shkallë-shkallë në vijim” shkruan Rama në Facebook, teksa poston fotot nga tregu i Kombinatit.
Policia dhe ushtria u stacionuan në këtë treg që shfaqi problematika gjatë javës së shkuar me grumbullime qytetarësh pa masa mbrojtëse kundër COVID-19. Rama tha se pikërisht kjo situatë u bë shkak që ai të shtynte për pas ditës së hënë lehtësimet me pikatore siç ai u shpreh, duke zgjatur fashën orare të lejuar për të dalë, duke rritur numrin e automjeteve që mund të marrin autorizim dhe fashën orare, dhe zgjerimin e listës së bizneseve që mund të qëndrojnë hapur.
Por këto masa lehtësuese do të shoqërohen me rritjen e masës administrative, deri në burg për shkelësit përsëritës.