Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një 78-vjeçar nga qyteti i Durrësit i prekur me koronavirus, duke çuar numrin e viktimave në 16. Në total janë konfirmuar 277 të prekur (18 raste të reja brenda 24 orëve), 8 prej të cilëve janë fëmijë. Në komunikimin e përditshëm për mediat, ministria e Shëndetësisë, ka dhënë detaje lidhur me rastin e 78-vjeçarin. Përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja sqaron se 78-vjeçari ishte në gjendje të rëndë, i intubuar prej 3 ditësh dhe pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë. Mes 96 testeve të kryera gjatë 24 orëve të fundit, 9 kanë qenë për mjekët, të cilët kanë rezultuar fatmirësisht të gjithë negativë.

Në spitali Infektiv janë shtruar 4 pacientë të rinj, duke e çuar në total në 81. 8 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 4 nga këta janë të intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion, bën me dije ministria, janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente. Ndërkohë në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi” është 1 pacient të shtruar, bëhet fjalë për të renë e cila iu ndënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e apandesitit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. “Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët të telefonojnë në numrin 0800 40 40 për përfitimin e barnave me rimbursim dhe cdo pyetje për COVID-19 ndërsa në numrin e urgjencës kombëtare 127 duhet të telefonojnë nëse dyshojnë se kanë shenja të COVID-19”, njofton Ministria e Shëndetësisë.