
Pas zbardhjes dhe publikimit të lajmit se për të dalë për pazar duhet të merret një leje, të premten, menjëherë provova që të hyja në portalin ‘e-Albania’ për të parë sesi funksiononte.
Përveç instruksioneve, e kisha të pamundur që të nisja marrjen e lejes, faqja e ueb-it nuk përgjigjej. Pavarësisht se aplikacioni dhe portali u prezantuan live e mbi 10 mijë njerëz e ndiqnin vetëm nga profili i tij në Facebook kryeministrin Rama, u duk që nuk ishte programuar për të përballuar fluksin e aplikimeve.

Në rrjet dhe në komente nisën ankesat. Mendimi, ndoshta duhet t’i japim një ditë kohë! Dhe meqë e diela ishte shtetrrethim, vendosa që ta bëj pikërisht dje.
Zgjodha që këtë proces ta bëja nga laptopi, mjeti i punës që ‘duam’ më shumë ne gazetarët e mediave online. Fillimisht u regjistrova në portalin ‘e-Albania’, me numrin tim personal (që ndodhen në ID apo pasaportë), emrin, mbiemrin, atësinë, numër celulari, e-mail, zgjodha një fjalëkalim dhe pranova që të dhënat e mia të përdoren.
Nuk munda dot të regjistrohesha, faqja nuk e kreu dot deri në fund procesin. Këtë veprim e provova deri në mbrëmje vonë, si për të fajësuar fluksin e qytetarëve që si unë po mundoheshin të merrnin 1 orë leje për të bërë pazar.
Pa sukses!

Atëherë provova mënyrën e dytë me një SMS në numrin 55155. Numri im personal ishte i saktë, por sipas mesazhit që erdhi në orën 1:33 nuk ishte:

Me të njëjtin numër personal, arrita mesditën e sotme të regjistrohem në aplikacionin ‘e-Albania’, pasi vendosa që ta kryej procesin me celular.

Pavarësisht se askush nga familja nuk ka kryer më parë një aplikim (babai dhe nëna nuk janë shumë të teknologjisë), kur shtypa opsionin për ta përfunduar, u njoftova që nuk mund ta bëja pasi kishte aplikime ekzistuese për këtë datë nga familja ime.
Gjithsesi tentativat e mia nuk do të ndalen me kaq, pavarësisht se unë kam lejen e punës. Por nëse nuk munda ta bëj unë pas disa tentativash me kompjuter, celular dhe SMS, a mos vallë e ka më të vështirë një person që pavarësisht moshës, nuk është aq i prirur me teknologjinë? Si do të mundnin prindërit e mi që të merrnin leje, ndërkohë që dhe të dhënat nuk janë ruajtur saktë në databazën e atyre që konfirmojnë mesazhet tona tek numri 55155?
Përgjigjja: Ju lutem provoni më vonë!/ Jearta Çaushi, gazetare e Tiranapost.al