4 fëmijë janë prekur në koronavirus në Shqipëri, si rezultat i kontaktit të rasteve pozitive të konfirmuara më herët. Një fakt i tillë konfirmohet nga Ministria e Shëndetësisë, teksa në total numri i të prekurve ka shkuar në 174. Fatmirësisht, referuar burimeve zyrtare, fëmijët, më i vogli i moshës 3-vjeç nuk kanë shfaqur shenja klinike, siç ndodh me të rritur dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Aktualisht, ata ndodhen në shtëpi në karantinë, por në rast se do të lindë nevoja për trajtim mjekësor më të specializuar, te Pediatria në QSUT është krijuar një pavion i veçantë i izoluar, për të pritur fëmijët e dyshuar me COVID19.
28 raste të reja kanë rezultuar pozitiv brenda këtyre 24 orëve të fundit, ku hartës së qyteteve të prekura i është shtuar edhe Tropoja, me 2 të prekur. Bëhet fjalë për një çift bashkëshortësh, të moshës 50 dhe 48 vjeç, nga qyteti i Bajram Currit. Burri është punonjës i shërbimit Informativ në Tropojë, (SHISH) e ndërsa gruaja arsimtare. Dyshimet e para janë se çifti është infektuar nga motra e bashkëshortes, e cila ka qenë më herët në Itali, teksa dhe po zhvillohet një hetim epidemologjik për të zbuluar në rast se kanë infektuar persona të tjerë. Gjatë 24 orëve të fundit, vetëm një rast i ri është shtruar në Urgjencën e Spitalit Infektiv në QSUT, duke e çuar në total në 73. Tre prej tyre janë në terapi intesive, dy të intubuar në gjendje më të rëndë shëndetësore. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente, bën me dije Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik.