Rreth 1200 këmbësorë në të gjithë vendin janë ndëshkuar me gjobë 10 mijë lekë që nga momenti i hyrjes në fuqi të Aktit Normativ për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Këto masa janë ndërmarrë pasi këta qytetarë janë konstatuar në shkelje të urdhrit të ndalim qarkullimit përtej orareve të lejuara pa një shkak apo arsye.
Lajmin e bëri të ditur vetë ministri brendshëm Sandër Lleshaj nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale teksa shkruan se qëndrimi në shtëpi është mënyra e vetme për të shpëtuar veten dhe familjen.
Në fund, Lleshaj nuk nguroi të paralajmëronte qytetarët e “ pabindur” se nëse nuk respektojnë oraret e vendosura në dispozicion për të lëvizur lirshëm masat e policisë dhe ndëshkimet do të ashpërsohen dhe se askush nuk do të tolerohet.
“Rreth 1200 qytetarë janë ndëshkuar me masë administrative 10 mijë lekë, pasi janë konstatuar nga shërbimet policore apo njoftuar përmes telefonatave në 112 ose Komisariatin Dixhital, duke lëvizur me këmbë apo biçikletë pa arsye a emergjencë. E vetmja mënyrë për të shpëtuar veten e familjarët tuaj është të qëndroni në shtëpi. Nuk ka zgjidhje tjetër. Në të kundërt, masat policore për ndëshkimin e shkelësve, do të jenë më të ashpra e të forta. Askush nuk do të tolerohet” shkruan Lleshaj.