Besnik Vathi zotëron një agjenci udhëtimesh, e cila ushtron aktivitet prej shumë vitesh. Por për herë të parë, biznesi i tij ka mbyllur qepenat.
“Aktualisht është dita e katërt që është mbyllur fizikisht. Është mbyllur fizikisht të katër zyrat që kemi ne. Të 25 punonjësit kanë shkuar në shtëpi. Dhe shqetësimi ynë nuk është se filloi tani. Edhe kur ishim në zyrë të vetmet punë që merrnim ishin mbylljet dhe anulimet e udhëtimeve” shprehet Besnik Vathi.
Turizmi është gjunjëzuar totalisht nga epidemia e koronavirusit.
Bizneset, veç pasigurisë për të ardhmen e tyre, duhet të mendojnë edhe për një tjetër problem emergjent, rrogat e punonjësve.
“Nuk e dimë se çdo bëhet. Nuk bëhet fjalë vetëm për rrogën e këtyre tre katër ditëve apo të dy javëve të karantinës. Bëhet fjalë po sa do zgjasë. Mund të shkojë një muaj, mund të shkojë tre muaj mund të shkojë 5 muaj. Dhe mund të na çojë në falimentim. Ndërhyrja e shtetit është e domosdoshme”, shton më tej ai.
Por turizmi nuk është sektori i vetëm i gjunjëzuar. Shpëtim Agolli është kryetari i shoqatës së biznesit të vogël në Tiranë. Ai thotë se edhe biznesi i vogël është në kolaps
“Tani thuajse të gjitha bizneset e vogla janë mbyllur sepse biznesi i vogël në 95 për qind është bar kafe dhe ndonjë shërbim tjetër pothuajse 95 për qind e bizneseve janë mbyllur”
Karantina ka paralizuar thuajse të gjithë ekonominë e vendit duke krijuar një problem të madh social.
“Me mijëra biznese në të gjithë Shqipërinë prej ditësh kanë mbyllur qepenat. Ekonomia shqiptare sot gjendet në një paralizë të paprecedentë ku sektorë të tërë të zinxhirit ekonomik janë bllokuar totalisht. Kjo situatë ka nxjerrë me qindra mijë vetë të papunë, të cilët tani duhet të përballen me mbijetesën”
Bashkimi është njëri prej tyre, që kanë humbur punën.
“Deri tani unë kam marr 5 mijë lekë borxh ose 50 mijë lekë të vjetra dhe ato bleva pak ushqime i kam aty. Dhe mund të kalojë dy tre ditë nuk kam ku të gjej tjetër. Unë i kërkoj qeverisë që të shikoj të ardhurat e familjeve kush është në nevojë dhe ti çojë ushqime ose ti kompesojë”
Biznesi privat në Shqipëri punëson mbi 521 mijë vetë dhe paguan 180 milionë euro në muaj rroga. Tashmë pjesa më e madhe e këtij zinxhiri ekonomik është këputur duke i lënë të gjithë të paralizuar dhe me sytë nga qeveria.
Top Channel