Kryeministri Edi Rama paralajmëron që ‘shtetrrethimi’ mund të vijojë edhe pas ditës së dielë. Kreu i qeverisë i bën apel qytetarëve që nëse janë larguar nga qytetet ku jetojnë, të marrin masa për tu rikthyer pas mesnatës së të dielës, kur ishte afati i fundit i shtetrrethimit, deri në 08:00 të mëngjesit të hënës. Kështu, Rama paralajmëron se nga mëngjesi i të hënës mund të merren sërish masa të tjera drastike për të ndaluar sërish qarkullimin e të gjitha automjeteve private, transportit publik e taksive, pa pasur një autorizim për lëvizje të nevojshme dhe të justifikuar.
“Kush banon në Tiranë-Durrës dhe është larguar për fundjavë të gjatë në Korçë ose gjetkë, të sigurohet të hyjë në perimetrin e blinduar gjatë hapjes së rrugëve hyrëse pas mesnatës të së dielës dhe jo më vonë se ora 08.00 e mëngjesit. sipas të gjitha gjasave perimetri do të mbyllet përsëri. Frikë jo, kujdes po!” shkruan Rama.
Ky vendim i rëndë vjen në kushte të detyrueshme, kur edhe ditën e sotme që hyri në fuqi masa, pati nga ata qytetarë që nuk e zbatuan urdhrin duke dalë pa arsye në rrugë e duke mbushur lulishten, ndërsa shumë të tjerë u ndaluan edhe nga policia dhe ushtria pasi dolën pa autorizim me automjete. Për të gjithë drejtuesit që sot u kapën në shkelje dhe të tjerë që mund të tentojnë. shefi i mazhorancës tha se do tu hiqet patenta dhe do ti ndalohet për disa vite që të rikthehen në autoshkollë për ta marrë atë.
Nga ana tjetër një paralajmërim shkoi edhe për dyqanet ushqimorë dhe farmacitë sipas të cilit nëse do të rrisin çmimet do tu hiqet licenca.