Editorial nga Dosja.al Ishte për gratë seanca e parë e Kongresit të Partisë Socialiste. Gratë u çuan të sulmonin të gjitha gratë që nuk ishin socialiste. Vetëm një grua doli nga hiçi të kritikonte një burrë, Linda Rama.
Nuk e di kujt i vajti mendja të më thërriste, e nisi bashkëshortja e kryetarit të PS. Në fakt askush nuk e tha kujt i vajti mendja? Si është bërë propozimi? Në cilën strukturë u hodh ideja dhe ku u miratua? A e vendosi kryesia, forumi i Grave, Taulanti Gramozi, apo Edi Rama?
Nga ato që tha Linda dhe më pas vetë Edi Rama, me siguri që vetëm kryetari i PS nuk e ka thirrur, madje ai ndoshta nuk e dinte fare. Se po ta dinte që opozitarja më e madhe e tij do të vinte në Kongres, me siguri do kishte marrë masat.
Ashtu siç i mori me Blushin, kundërshtarin që kërkoi vetëm të zbatohej statuti, ashtu siç i mori me radhë më parë me Petro Koçin, Kastriot Islamin, Marko Bellon etj. derisa i detyroi të largoheshin nga partia.
Ashtu siç di ai të sillet me kundërshtarët. Jo këtë herë. Me siguri nuk e dinte, se opozitarja më e madhe e tij, ajo që ia mbledh në Surrel, që e lë pa fjalë, do të fliste në Kongres dhe do ia mbyllte gojën.
E vetmja gjë që bëri njësoj si me oponentët e tjerë, ishte që nuk iu përgjigj asnjë kritike të saj, por përkundër sjelljes me ta, e përshkroi Lindën si shpëtimin tonë.
Po të mos ishte Linda, me këtë opozitë do më dukej vetja njeriu më i madh në botë, shpjegoi Rama fjalinë nuk keni parë gjë akoma.
Me fjalë të varfra, deliri i pafre i liderit global, pushteti i pakufishëm i aspirantit për diktator, arroganca e pafshehur e qeveritarit antipopullor, babëzia e pafund e ortakut të oligarkëve dhe flirtimi i përjetshëm me krimin, pa Lindën do të ishin tashmë jo vetëm pjesë e Kushtetutës sonë, por edhe rregullore e OSBEsë, ku lideri qeveris parttime.
Nuk mbarojnë këtu meritat e Lindës. Sic e tha bashkëshorti i saj, fjala që mbajti në Kongres, ishte jo më pak se programi i Partisë Socialiste për gruan, familjen dhe arsimin. Për këtë arsye ai vetë nuk e pa të arsyeshme të mbante fjalim programor, por të tregonte se si gallata në vilën e patundur nga tërmeti, shpëton vendin nga dalldisja e plotë e Kryeministrit. Jo vetëm Linda, por edhe Zaho i vogël ndikon për këtë, duke mos ia hequr fjalën mamit në favor të babit.
Kjo e bëka Zahon të ngjajë me Gramozin, sipas kryetarit të maxhorancës. Nuk ishte e nevojshme të shtonte se nuk do ta bëjë kryetar Parlamenti. Ai ende nuk e ka mbushur moshën.
Kjo nuk do të thotë se dy të rriturit, që të dy opozitarë si mami, nuk mund të kërcënojnë pozicionin e Gramozit, ose, nëse ai vazhdon të jetë shoku më i ngushtë i Ramës, zënë vendin e Rudinës ose Nimetit që nuk po shkëlqejnë me opozitën parlamentare, as kur marrin leje për të sharë apo akuzuar.
Duke dalë nga Surreli dhe duke hyrë në Pallatin e Kongreseve, situata nuk duket aq keq. Fytyrat e servilëve që shikonin me merak Edi Ramën, kur gruaja po ia mblidhte dhe pastaj qeshën të lehtësuar kur e kuptuan se kjo ishte një shaka për shqiptarët, nuk kanë asnjë vlerë për vendimmarjen.
Ato janë aty si aktorë të rrugës që i kanë futur për një copë bukë në një film, pa e ditur skenarin, të papërgatitur për mizanskenat e forta, që vetëm Edi Rama di ti ndërtojë.
Vendimet merren në vilën antisizmike të Surrelit, aty ku njerëz të një familjeje, sipas rrëfimit të Kryeministrit, vendosin fatet e Shqipërisë. Njësoj si atëherë kur një familje në bllok e bënte këtë, me të njëjtin përkushtim. Ah po, ka një ndryshim, në familjen e re, nuk ka homogjenizëm kur bëhet fjalë për mbiemrat. Një prej tyre ngjan me atë të liderit të opozitës.