Nexhmije Hoxha u nda nga jeta. Ishte janari i 1993 kur u njohëm. Kushte të vështira, për shumëkënd të papërballueshme. Por, Nexhmije Hoxhën nuk e ligështonte fati. Asnjë shenjë nuk të lejonte të mendoje se në burg kishin mbyllur një zonjë nga Blloku i përgojosur. Ndjesia ishte se nën pranga ishte një çlirimtare e sapo zbritur nga mali. Shpërfillëse ndaj moshës së saj të thyer, përçmuese ndaj vështirësive. Dibrania, bashkëshortja e Enverit ishte krenare edhe në fatkeqësi.
Pastaj u njohëm në mizerjen e burgut të Bënçës ku rregullin nuk e bënte shteti, por zjarrvënësit e vlerësuar nga shteti me dekoratën Pishtar i Demokracisë e të shpërblyer me poste për besnikëri. Në burg ke një tendosje të brendshme të qëndrueshme (vijuese), por Nexhmija na bënte të pranonim se dinjitetin e qenësishëm nuk e zhbëjnë as mosha, as vështirësitë. Ritmin e hapit të vendosur në kthim nga banja nuk e ndryshonte pesha e kovës që mbante në dorë me ndërresat e lara. E njëjta pamje e jashtme si në korridorin dhe në oborrin e çimentuar të burgut. Asnjë jakë a kind bluze i varur. Edukatë, apo ambicie për të qenë gjithmonë e kudo shembull? Në burg nuk mund të shtiresh ndryshe nga si je. Nexhmije Hoxha ishte vetvetja edhe aty.
U takuam shumë vite më vonë. Shprehu keqardhjen që nuk shquante dot ndryshimet që mosha kishte bërë tek unë. Tha se Gjunjët nuk më mbajnë më, shkruaj pa e parë shkrimin tim. Ato që shkruaj mi lexon Pranvera dhe unë bëj ndërhyrjet që duhen bërë. Po e përfundoj librin tim të gjashte.
Pak ditë më parë më dërgoi librin e sapobotuar. Me shkrim mbi zarf shprehte dëshirën të më jepej në dorë.
Dikur e intervistuar nga një korrespondent i huaj pati thënë Une marr jetën si vjen, por nuk e lë atë të më marrë zvarrë Me të vërtetë nuk e la jetën ta rrëmbente zvarrë. Askush nuk e pa të përkulur, sepse asnjëherë nuk u përkul. Ishte krenare për origjinën e saj dibrane Lamtumirë dibrania sedërqare! Një bashkëvuajtës në burgun e Bënçës!