Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i është përgjigjur negativisht ultimatumit të dhënë nga SHBA, për të hequr taksën mbi produktet serbe. Mediat në Kosovë shprehen se pas këtij vendimi priten pasoja të mëdha për Kosovën .
Burime të Gazetës Express nga Shtetet e Bashkuara kanë treguar se në fund të javës, Richard Grenell, Shef aktual i të gjitha shërbimeve sekrete amerikane dhe ndërmjetësues mes Kosovës dhe Serbisë, do ta shqyrtojë situatën lidhur me heqjen apo jo të tarifës nga Qeveria e Albin Kurtit.
Një nga opsionet e hedhura nga amerikanët është që në Kosovë të ndërpriten të gjitha investimet e SHBAsë.
Mëngjesin e sotëm DASH publikoi detaje nga takimi mes sekretarit të shtetit Mike Pompeo, dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ku ishte kërkuar në mënyrë të qartë heqja e taksës, që tashmë duket të jetë refuzuar përfundimisht nga qeveria Kurti.
Taksa 100% ndaj mallrave serbe u vendos nga qeveria e Ramush Haradinajt, i cili i ka kërkuar vazhdimisht Kurtit që të mos e heq atë.