Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i është përgjigjur ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, teksa ka sqaruar sërish procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
I ftuar në emisionin “Opinion” Presidenti Meta ka sqaruar skemën, që sipas tij, tregon manipulimin e botimit të aktit të KED në Fletoren Zyrtare nga ministrja Gjonaj. Sipas Kreut të Shtetit, ky është një krim i rëndë, që mund të hetohet për 10 minuta.
“Ky është krimi më i rëndë dhe më i lehtë për tu hetuar, 10 minuta punë do. Mos të merremi me këtë zonjën falsifikatore. Nuk merrem me reagimet e saj. Ajo ka rrëmbyer kompetencat e mia” tha Meta.
Meta: Si mund të merem unë me një falsifikatore, e para. E dyta, gjuha ime është shumë korrekte. Ajo më ngatërron me gjuhën e Monikës, atë ta zgjidhin me njera tjetrën.
Fevziu: Si ta zgjidhin, Zonja Kryemadhi është bashkëshortja juaj, është kryetare e partisë që keni krijuar ju
Meta: Bashkëshorte, është në shtëpi, nuk është në sjelljen time si president. Zonja në fjalë të shkojë të tregojë shokët tek SPAKU. Nuk do të ketë asnjë ditë ndalesë pa zbardhjen e kësaj afere kriminale, një krim kushtetues, që përfshin kuvendin, gjyqësorin, ( që është Dvorani) dhe Ministrinë e Drejtësisë që duhet te jetë garante e respektimit të kushtetutës dhe ligjit. Nuk ka Shqipëria institucion më të rëndësishëm se Gjykata Kushtetuese. Është e barabartë me Kushtetutën vetë. Një Gjykatë Kushtetuese me filmat që bën Dvorani, që bën kjo zonja, që bëjnë të gjithë ata Sekretarët e Përgjithshëm atje, e bëjnë këtë kushtetutë të shenjtë, një letër pa vlerë dhe pa asnjë rëndësi.
Fevziu: Ajo zonja është Ministrja e Drejtësëisë së Shqipërisë, që pretendon se Presidenti ka një hall të madh me reformën në drejtësi.
Meta: Presidenti i ka kapur në flagrancë, jo për meritë të presidentetit, se i ka pralajmëruar para dy vjetësh, po luani me Gjykatën Kushtetuese, po e lini vendin pa Gjykatë Kushtetuese, vetëm që të merrni kontrollin e saj dhe tek Gjykata Kushtetuese u kam thënë: vijë e kuqe, e kuqe flakë.
(BalkanWeb)