Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i cilësoi akuzat e Presidentit Ilir Meta një lajthitje ligjore, ndërsa sqaroi procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Në një dalje për media, ministrja Gjonaj tha se as vetë Presidenti nuk e beson versionin e tij se në Ministrinë e Drejtësisë ndodhet një “grup i strukturuar” që po tenton të bëjë grusht shteti.
Pjesë nga deklarata:
Shtjelloj me përgjegjësinë time politike, profesionale dhe personale një temë që është kthyer në thirrje për protestë nga Presidenti. Nuk e kam bërë këtë shtjellim më parë, sepse kam gjykuar se i duhej lënë Presidentit koha dhe hapësira e plotë mediatike për të ezauruar5 të gjitha seritë e spektaklit të tij mbi grupin kriminal në ministri. U rezervoj të gjithë keqardhjen time për hallin e madh që i motivon për luftën kundër Reformës në Drejtësi, por akuzat ndaj meje nuk ua lehtësojnë këtë hall.
Deformimet e rënda faktike, juridike, të këtij show politik presidencial mbi gjoja rrëmbimin e kompetencave të Presidentit janë mbresëlënëse për këdo që i di faktet. Psh. kujt dhe për çfarë i drejtohet z. Presidenti mbi zgjedhjen e anëtarëve të Gykatës Kushtetuese, kur sot gjyqtarja e zgjedhur prej tij ushtron funksionin e Gjykatës Kushtetuese.
Mbi këdo që do të dijë si qëndron e vërteta, sipas Kushtetutës, ligjit, po vijoj me argumentet: Së pari, Presidenti artikulon pa pushim për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mund të konsiderohet non sens dhe logjikisht një lajthitje ligjore e Presidentit.
Së dyti, parashikimet për përzgjedhjen e anëtarëve nga Presidenti janë të qarta. Ai ushtron të drejtën e zgjedhjes së gjyqtarit kushtetues brenda 30 ditëve nga marrja e listës nga KED. Presidenti e ushtron këtë në dy forma, o me dekret, o me heshtje.
Qëllimi i vendosjes së këtij afati ka qenë shmangia e bllokimit të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga politika.
Afati 30 ditor i Presidentit përfundoi dhe Presidenti nuk e ushtroi të drejtën e tij brenda afatit. Me kalimin e këtij afati bëhet automatik emërimi i kandidatit që është renditur i pari. Për këtë shkak, Arta Vorpsi, që ishte renditur e para në listë, konsiderohet e zgjedhur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhja e saj nga ligji është bërë më 8 nëntor 2019.
Së treti, Presidenti paraqet pa pushim një rrëfim me natyrë policeske lidhur me botimin në Fletoren Zyrtare zgjedhjen e Vorpsit. Bërthama e rrëfimit është thjesht dita e shtunë, pra fakti që botimi është bërë të shtunën. Kjo i ka mjaftuar presidentit të dalë në përfundimin se jemi para një grushti shteti. E kam shumë të vështirë nëse Presidenti e beson vetë këtë version. Sikur Presidenti apo këshilltarët e ti të kishin bërë një kërkim, do kishin mësuar se e shtuna dhe e diela janë ditë që figurojnë në Fletoren Zyrtare.
Së katërti, Presidenti deklaron se grupi i struktura në Ministrinë e Drejtësisë ka shkelur ligjin se ka botuar një vendim që nuk kishte kompetenca. Në fakt është krejt e kundërta. Kuvendi i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë faktin që afati 30 ditor i Presidentit ka përfunduar dhe për këtë shkak kandidati i parë në listë zgjidhet automatikisht.