Qëndrimin e tij për një tentativë grusht shteti në Shqipëri, Presidenti Ilir Meta ia shfaqi sot liderit demokrat Lulzim Basha të cilin e thërriti në një takim në zyrën e tij në presidencë, siç bën të ditur zëdhënësi i kreut të shtetit, Tedi Blushi.
Siç thuhet në një postim të shpërndarë prej tij në Facebook, Meta i kërkoi kryetarit demokrat Basha, që për skandalet e fundit anti-kushtetuesë të mazhorancës, siç ai i quan, të informojë edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare, mes të cilave është edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, forca politike që drejton bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Zëdhënësi shfaq një reagim të ashpër të Presidentit Ilir Meta, kur thotë se ai “do të bëjë çdo gjë për të ndaluar dhe shpartalluar’grushtin e shtetit, duke i dhënë përgjigjen më shembullore që meriton”
“Presidenti i Republikës Ilir Meta thirri sot në një takim Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Presidenti Meta e njohu Bashën me skandalet e fundit anti-kushtetuese dhe përpjekjet e Rilindjes për grusht shteti, dhe i kërkoi kryetarit të PD-së që të informonte edhe drejtuesit e partive të tjera opozitare. Presidenti Meta bëri të qartë se do të bëjë çdo gjë për të ndaluar dhe për të shpartalluar grushtin e shtetit, duke i dhënë përgjigjen më shembullore që meriton” njofton zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi