Aktorja Arjola Demiri është surprizuar nga tropojanët të cilët e kanë emëruar drejtoreshë e Pallatit të Kulturës. Pasi ka mësuar këtë gjë, Arjola është përlotur gjatë fjalimit të saj.
“Më falni, kam shumë emocione…më besoni që këtë nuk e kam ndjerë në Pallatin e Kongreseve. Jam rritur midis jush. Shumica prej jush jeni familjarët e mi, kushërinjt e mi, jeni shoqëria ime. Kur e pranova rolin e Ermalit, u ndjeva shumë me fat sepse pas shumë kohësh diçka e bukur do t’i dedikohej Tropojës. E di shumë mirë realitetin dhe zhvillimin e këtij qyteti. Ky qytet ka pasur nevojë që dikush të ngrihet e të flasë për të dhe artistët e kanë bërë më së miri. Kur pranova rolin e Xhbanes (tek seriali O sa mirë) u paragjykova duke thënë ‘kjo nuk është vajza tropojane’. Megjithatë e ngrita zërin kur në Kosovë nuk njiheshin shumë tropojanë, vetëm disa figura kryesore. Në çdo intervistë, në çdo vend ku kam shkuar jam ndjerë krenare të pranoj që jam nga Tropoja. Për shumë kohë nuk na kanë pranuar, na kanë refuzuar, na kanë dhënë epitete të cilat nuk i kemi merituar kurrë.
Për 7 muaj rresht, si asnjëherë tjetër, në të gjithë Shqipërinë, në të gjithë botën ku ka shqiptarë u fol vetëm për Tropojën. U tha ‘E dua Tropojën’, u zgjua një zë, u zgjua një pozitivitet për ne sepse e meritojmë, sepse nuk jemi vendi i kriminelëve, i hajdutëve. Por jemi një vend që meritojmë shumë, që ka nxjerrë bijë e bija me emër në të gjithë Shqipërinë. Ky film të cilin e kemi bërë me shumë dashuri, është komedi dhe qëllimi është të qeshim. Sigurisht dikush do ta paragjykojë, por ky nuk është dokumentar për Tropojën. Njerëzit nuk do vuajnë më, por do të qeshin pasi të shohin këtë film. Nuk do t’i marrim të mirëqena komentet negative për mua apo regjisorin e producentin e këtij filmi i cili zgjodhi pikërisht Tropojën. Kurrësesi nuk hidhet poshtë Tropoja dhe tropojanët. Unë e para që jam bija juaj, në asnjë film s’do e hidhja poshtë vendin tim për të cilin do të kontribuoj shumë. Jam e nderuar që do të jem në krye të Pallatit të Kulturës”, u shpreh Arjola.
Filmi “I love Tropoja” nisi dje turin dhe vendi i parë ku u shfaq ishte pikërisht Tropoja. Producenti dhe regjisori, Ermal Mamaqi u nderua nga Bashkia e Tropojës me çmimin “Mirënjohja e Tropojës”