Policia e shtetit ka dhënë informacionin zyrtar lidhur me fatin e Jak Prengës, i cili u mor peng pak ditë më parë në zonën e Kamzës, dhe humbi jetën gjatë transportimit për në resortin e familjes Hajri në zonën e Shijakut
Policia thotë se Prenga ka humbur jetën si pasojë e goditjes dhe gjakderdhjes, ndërkohë që trupi i tij nuk është gjetur ende. Sipas njoftimit zyrtar nga ana e policisë, personat që e kanë marrë peng Prengën synonin që ta mbanin atë në resortin Golden në Shijak, po duket se gjatë rrugës diçka ka shkuar keq, dhe viktima ka gjetur vdekjen si pasojë e dhunës
Lidhur me këtë ngjarje policia ka vënë në pranga shtetasit Leonard Hajri, Elton Hajri, Bajram Hajri dhe Olsi Turja, ndërkohë që resorti ku pretendohej të mbahej peng Prenga ka qenë në pronësi të shtetasit Altin Hajri, i cili ende nuk është arrestuar nga ana e policisë
Altin Hajri nuk është i panjohur për policinë shqiptare pasi në tetor të vitit 2015 ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, i dyshuar si koka e një rrjeti të traf.ikut të dr.ogës nga Afganistani në Itali
Mirëpo 8 muaj më vonë, në 2016ën, autoritetet italiane pushuan hetimin ndaj tij, duke hequr emrin e tij nga listat e të kërkuarve. Në Shqipëri, Altin Hajrit iu bllokuan pasuri me vlerë rreth 10 milionë euro
Ky rrëmbim ka ardhur si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatoret dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Britaninë e Madhe