Ka nisur seanca dëgjimore për prokurorin Besnik Cani në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Vetë prokurori Cani është i pranishëm në sallë bashkë me avokatin e tij mbrojtës, Eduard Halimi. Dosja.al mëson se Halimi është shrehur se Cani gjatë këtyre ditëve ka mësuar se dy prej anëtarëve të trupës, Artan Hajdari dhe Luan Daci, janë në kushtet e pazgjidhshmërisë, dhe ka kërkuar përjashtimin e tyre.
Gjithashtu bëhet me dije se më datë 17 janar, prokurori Besnik Cani ka bërë kërkesë në KPA për përjashtimin e dy anëtarëve, Hajdari dhe Daci, duke i kallëzuar penalisht për “falsifikim të formularëve”. Herën e kaluar, seanca dëgjimore u shty, pasi nuk ishte i pranishëm mbrojtësi i tij, Eduart Halimi.
Prokurori Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në nëntor të vitit 2018, pavarësisht disa problematikave të konstatuara. Ai më pas u zgjodh edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Operacioni Ndërkombëtar Monitorimit, në janar të 2019, i rekomandoi Komisionerit Publik që të kërkonte rrëzimin e vendimit të KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Në rekomandimin e ONM, përpos të tjerave, theksohet se prokurori Cani ka tentuar të përfitojë një kredi të butë në Bashkinë e Fierit, ndërsa nuk ka hetuar ish-krybashkiakun e Fierit Baftjar Zeqo si dhe disa tendera të dyshuar si abuzivë në Elbasan.