Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kujton demonstratën e parë antikomuniste të zhvilluar më 14 janar 1990.
“Sot 30 vjet më parë, në qendër të Shkodrës u organizua demonstrata antikomuniste për rrëzimin e bustit të Stalinit. Personazhet kryesorë të asaj dite u arrestuan, torturuan në hetuesi dhe dënuan si “elementë armiq të Partisë” sepse kishin vepruar të ndikuar nga ndryshimet në Europën Lindore. Era e re e ndryshimeve demokratike që Shqipëria përjetoi 30 vjet më parë filloi atë ditë në Shkodër, me praninë e djemve, vajzave dhe qytetarëve që u mblodhën për ta mposhtur frikën” deklaron AIDSSH.
Po ashtu AIDSSH shton se “30 vjet më pas, dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit mbi nismëtarët dhe organizatorët të demonstratës mund të vihen në dispozicion të studiuesve dhe të interesuarve. Materialet janë disa qindra faqe me informacione, raporte hetuesie, materiale në ngarkim të grupit të akuzuar, komente e parulla, komente të të huajve dhe klerikëve, informacione të marra në rrugë operative, dosje të përpunimit dhe hetimore gjyqësore të personazheve kryesore të 14 janarit 1990”
“Ndryshe nga sa u deklarua me nxitim nga pushteti se “Taraboshin nuk e luen era” proceset e ndryshimeve demokratike përfshinë mbarë vendin, duke e shënjuar shumëfish vitin 1990” deklaron Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.