Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dorëzuar zyrtarisht në institucionet e Kosovës padinë ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Ramush Haradinaj. Padia është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Me pretendimet se Haradinaj ka shpifur me deklarimet e tij ndaj kryeministrit shqiptar, Edi Rama kërkon kompensim të dëmit, por pa caktuar shumën. Padia e Edi Ramës, e cila përmban mbi 30 faqe, pretendon se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës, për deklaratat e tij që i ka dhënë në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve.

Në këtë padi, përmenden disa emisione të transmetuara gjatë muajit tetor të vitit të kaluar, në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë, e ku e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuciqin, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.