Unë dhe Lenka u gëzuam shumë që, më në fund, po transferoheshim në një burg, ku jo vetëm do të ishim mes grash, por, më shumë, sepse do të ishim në Tiranë, afër familjarëve tanë. Gardiania Tone ma kishte përshkruar bukur burgun e grave, mё kishte thёnё se aty tё burgosurat rrinё bashkё, bisedojnё me kё duan, kanё njё oborr tё madh tё zbukuruar me lule, nё kohё tё mirё rrinё jashtё sa tё duan, bёjnё punё dore dhe, ajo qё ishte mё e rёndёsishmja pёr mua, aty lejonin libra dhe kishe mundёsi tё shkruaje pa asnjё pengesё.
Me këto mendime, e lamë pas Bënçën dhe tërë rrugës të dyja ndiheshim në humor të mirë, sepse po shkonim në Tiranë. Çdo shkundje të makinës e kalonim me të qeshura. Lenka kishte marrë me vete disa pjepra, që i kishte vënë nën stolin, ku ishim ulur, dhe ata rrokulliseshin herë në njërën anë të makinës e herë në tjetrën, sikur kërcenin… Nga kjo skenë na kapnin të qeshurat.
Më në fund, pas njё udhëtimi tё gjatё dhe tё lodhshëm pёr moshёn time, me njё furgon tё vjetёr policie, arritëm në Tiranë. Sa u futëm në burgun e grave, pamë kaushin e gjatë dhe dhomat e tjera të burgut, të gjitha në krahun e djathtë, me një oborr të mirë përpara. Pastaj na futën të dyja në një dhomë, që kishte dy krevate marinari. Aty ndenjëm disa muaj. Fjetëm të dyja në krevatet e poshtme, kurse lart vunë dy të burgosura të tjera. Njëra prej tyre na tha: “Mua më kanë vënë t’ju spiunoj, ngaqë keni qenë anëtare të Byrosë Politike”
Një komandant i policëve na njoftoi për rregulloren e këtij burgu, çfarë na lejohej e çfarë na ndalohej dhe dënohej rreptësisht. Na vuri në dijeni edhe për orarin e çdo veprimtarie të ditës.
Atë mbrëmje ne nuk dolëm as për darkë, ngaqë ishim të lodhura nga rruga. Hëngrëm ato që kishim me vete, por nuk na lanë thikë për të prerë pjeprin. Megjithatë, bëmë si bëmë dhe e shijuam…
Lirimi pas 5 vjetësh
Nё ka njё moment tё spikatur qё ndien thellё mrekullinё e ndjenjёs sё Lirisё, ky moment ёshtё LIRIMI nga burgu.
Këtë ndjenjë e provova mё 10 janar tё vitit 1997. Isha dёnuar nga Gjykata e Apelit, me 11 vjet, por nga disa amnisti kolektive, që u shpallën nё dy-tri raste festash kombëtare, pёrfitova ulje dënimi, ndaj bëra vetëm 5 vjet burg. E vuajta dënimin në tri burgje: dy vjet nё Burgun 313, tё Tiranёs, nё kushtet e paraburgimit; 1 vit e gjysmё, nё burgun e Sigurisё sё Lartё tё Bёnçёs, nё Tepelenё, ku dërgoheshin tё burgosurit e rrezikshёm e recidivistё (pёrsёritёs) dhe 1 vit e gjysmё, nё Burgun e Grave nё Tiranё.
Avokati im kishte bërë përllogaritjet e kohës sime në burg dhe më kishte njoftuar se së shpejti mund të lirohesha. Kёshtu, unё po prisja dhёnien e urdhrit zyrtar pёr lirimin tim, por me zemёr tё ngrirё dhe me një emocion të madh. Sepse e kisha provuar njё vit mё parё tё kthehej mbrapsht urdhri i lirimit. Atёherё, vendimi pёr lirimin tim u pezullua, sepse politikanёt e lartё nё pushtet nuk donin qё tё lirohej Fatos Nano, tё cilin e kapte ai ligj, ndaj dhanё urdhёr qё tё korrigjohej shpejt e shpejt. Prej kёsaj, e pёsova edhe unё. Atë ditë isha bërë gati për të dalë, por mbeta brenda mureve tё burgut, me pallton veshur dhe me valixhen nё dorё. U ndjeva keq, por edhe mё shumё mё erdhi keq pёr familjarёt e mi, qё ishin pёrgatitur shpirtёrisht pёr daljen time nga burgu, madje, kishin pёrgatitur dhe ёmbёlsirёn tradicionale dibrane, sheqerparen, siç e quajnё nga anёt tona, pёr ta festuar kёtё gёzim tё madh pёr familjen tonё.
Ndërsa kёtё herё, plot pas njё viti, erdhi për mua vërtet çasti i lumtur i lirimit. Qёndrimit tim 5-vjeçar nё burg i erdhi fundi. Pasi mora vesh lajmin, rregullova plaçkat, u vesha dhe po prisja tё dilja. Ja, porta e jashtme e burgut u hap. Zemra mё fёrgёllonte nga gёzimi, mushkёritё m’u mbushёn me ajёr tё pastёr e tё lehtё, qё mё dukej sikur ishte ndryshe aty jashtё.
Sytё, instinktivisht, i kisha mbyllur për një çast, nga kёnaqёsia dhe, kur i hapa, para meje, nё hapёsirёn qё shtrihej para portёs sё madhe e tё rёndё nga hekurat e shumta, qё unë e lashё pas, shoh njё grumbull njerëzish dhe kamerash qё po mё prisnin. Dallova menjёherё kokёn e Shkёlzenit, nipit tim tё hijshёm dhe shtatlartё si babai i tij, Iliri.